Qeveria dënon fuqishëm aktet e Vetëvendosjes gjatë protestës
Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj protestës së sotme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ku këta të fundit tentuan që të shkonin në shtëpinë e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Lajme
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon fuqishëm tentimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të cenojnë ambientet familjare dhe pronën private të familjarëve të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, raporton lajmi.net.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron tërësisht të papranueshme çdo formë të sjelljes së dhunshme, e cila, duke mos zgjedhur metodë për të arritur synime të caktuara politike, cenon familjen, pronën private dhe jetën e çdo qytetari të Kosovës”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.
Sipas tyre, aktet të tilla vulgare janë në kundërshtim me çdo normë etike, morale dhe ligjore të sjelljes dhe si të tilla janë të papranueshme në shoqëritë demokratike.
Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga subjektet politike që të tregohen të matura dhe që për synime të politikës ditore, të mos dëmtojnë proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës, por të kontribuojnë në fuqizimin e shtetësisë, imazhit dhe perspektivës integruese euroatlantike të Kosovës.