Qetësi e përkohshme në UP
Një qetësi e përkohshme po mbretëron sot në Universitetin e Prishtinës. Stafi i Rektoratit ka nisur me kohë punën. Ndërkohë sot në mëngjes asnjë studentë nuk është shfaqur para këtij institucioni, i cili po mbahet i rrethuar nga forca të mëdha policore.
Lajme
Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë në çdo cep te Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për të parandaluar çdo tentim të studentëve protestues të bllokojnë hyrjen e Rektoratit.
Prezenca e madhe e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ka mundësuar hyrjen e Rektorit Ibrahim Gashi dhe stafit tjetër në zyrat e Rektoratit, të cilat javën e kaluar u mbajtën të bllokuara nga studentët që po kërkojnë me çdo kusht largimin e të parit të Universitetit, pas skandalit të fundit që plasi me botimin e punimeve shkencore në revista të rreme në Indi.
Për dallim nga dita e hënë, kur mijëra vetë kërkuan me protestë në rrugë largimin e Rektorit Gashi, dita e martë është jashtëzakonisht më e qetë.
Para Rektoratit nuk ka asnjë studentë dhe policët e shumtë në numër që janë vendosur aty që nga mëngjesi po krijojnë një pamje jo të mirë për një institucion të dijes, siç është Universiteti i Prishtinës.
Këshilli Organizativ i Protestës ka paralajmëruar për orën 13:00 një aksion, në të cilin janë ftuar edhe mediet.
Ndryshe, Rektori Gashi po refuzon me forcë dorëheqjen e tij. Ai ka thënë në një intervistë për “Epoka e Re” se sikur dorëheqja e tij të kërkohej nga instanca më të larta të Universitetit, ai do të reflektonte në këtë vendim.
Por, sipas tij, grupi prej 30-50 studentësh, është i “vogël” që ai të gjunjëzohet.