Qëndroni prapa kryetarëve tanë

Aleksandar Vulin nuk ka mundur të marrë pjesë sot në inaugurimin e kryetarëve të Komunave të Leposavicit dhe Zubin Potokut. Ai tha se shtyrja e këtyre mbledhjeve inauguruse është pjesë e pengesave që po has edhe formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe.

Lajme

20/12/2013 17:26

Me formimin e Bashkësisë dhe me qeverisjen e komunave, serbët kanë marrë fatin në duar të veta.

Kështu deklaroi sot Ministri pa Portofol i Serbisë, i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin.

Gjatë vizitës së tij në Veri të Kosovës, Vulin, tha se “ende do të ketë pengesa për serbët, por ato do t’i zgjidhin ngadalë ”.

Një ditë më parë kishte paralajmëruar se do të marrë pjesë në inaugrumin e kryetarëve të Komunave të Leposavicit dhe Zubin Potokut, mirëpo kjo pjesëmarrje e tij nuk është realizuar, pasi që mbledhjet e kuvendeve të këtyre komunave janë shtyrë për arsye procedurale.

Ai ka shpjeguar se përfaqësuesit e BE’së në Kosovë, e kanë lutur që për arsye procedurale dhe disa mosmarrëveshjeve, të shtyhet mbajtja e këtyre mbledhjeve.

Vulin tha se formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, do të hasë në vështirësi.

“Ne këtë e dimë dhe jemi të përgatitur për një gjë të tillë, por Bashkësia do të formohet, gjithashtu edhe qeverisja lokale dhe serbët do të marrin fatin në duart e veta. Pengesa të tilla do të ketë sërish, por ne do ti largojmë ato, nuk do të reagojnë dhunshëm dhe në formë të gabuar, do ti konstituojmë të gjitha komunat tona,  dhe Bashkësia do ti jap llogari rregullave nga Marrëveshja e Brukselit, që është neutrale ndaj statusit”.

Ky ministër serb, i ka bërë thirrje të gjithë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovës, që “në emër të paqes, dinjitetit, të qëndrojnë prapa kryetarëve të komunave të tyre, të cilët ne i kemi zgjedhur në mënyrë që të kenë mbështetjen edhe të Qeverisë së Serbisë”.

“Prishtina nuk do të arrijë që me dhunë dhe retorikë të ndryshojë Marrëveshjen e Brukselit dhe as në Prishtinë apo Beograd, nuk do të mund të ndryshohet ajo çfarë është arritur në Bruksel”.

Vulin i ka falënderuar serbët e Kosovës për marrjen e datës për negociata me BE’në, pasi që sipas tij, pa këta të fundit “kjo datë nuk do të ishte e mundur”.