Qëlluan Ramën me vezë, studentja pasi fitoi “lirinë”: Nuk keni parë gjë akoma!

Në dalje nga zyrat e policisë, Klodi Hoxha, vajza që qëlloi “vezën më të famshme në Tiranë”, foli para studentëve.

Lajme

03/11/2015 10:09

“Nuk keni parë gjë akoma”, tha ajo me shaka para të pranishmëve. Studentja Klodi Hoxha është aktiviste tek Lëvizja Studentore për Universitetin.

Pak orë para incidentit ajo ka postuar në profilin e saj në “Facebook”, një deklaratë ku shprehet, se të gjithë dëshirojnë të arsimohen, por nuk mund të përballohen tarifat e larta që po vendos qeveria. “Ç’do të ndodhë kur gjimnazistët të mos mund ta vazhdojnë arsimimin e tyre në institucionet e arsimit të lartë për shkak të tarifave të kripura?

Atëherë nuk do të pijë më ujë fakti se ata janë gjimnazistë dhe nuk mund t’i bashkohen protestës sonë studentore. Askush nuk do që të punojë në call-center apo fasoneri. Të gjithë duan të arsimohen”, shkruajti Hoxha.

Një grup studentes, në mesin e tyre edhe disa nga Kosova, sulmuan dje me vezë kryeministrin Edi Rama. Nëntë prej tyre më pas u arrestuan nga policia, për t’u liruar më vonë. Ata akuzuan policinë dhe truprojat e kryeministrit shqiptar, për përdorim të tepruar të dhunës. /BW