Qëllimi Primar i Besnikut
Kandidati i AAK’së për Kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, ka prezantuar projektet kapitale nga programi “Kontrata për Ndryshim”. Fokus e ka nënkalimin që lidh Lagjen Dardania me Emshirin.

Lajme
Besnik Tahiri ka thënë të enjten se Kryeqyteti mund të quhet modern vetëm në rast se infrastruktura bazike dhe ajo përcjellëse përmbush nevojat elementare të qytetarëve.
Kandidati për Kryetar të Prishtinës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, në vijim të fushatës, ka thënë se investimet kapitale, cilësore dhe të qëndrueshme komunale – janë treguesi më i mirë i zhvillimit, duke e konkretizuar planin për lidhjen me nënkalim të Lagjes Dardania me Emshirin.
“Ne synojmë që përmes ngritjes së kapaciteteve institucionale për Partneritetin Publiko-Privat, të krijojmë parakushte të favorshme dhe siguri të plotë për shfrytëzim dhe gjenerim të zhvillimit ekonomik. Kjo arrihet përmes menaxhimit të integruar të të gjitha investimeve infrastrukturore”.
Tahiri ka deklaruar se në shfaqjen e shqetësimeve dhe ankesave, qytetarët gjithnjë kanë të drejtë.
“Kam si qëllim primar krijimin e një ambienti lehtësisht të qasshëm, të sigurt, të shfrytëzueshëm, dobi-prurës, dinamik, estetik dhe mbi të gjitha që ruan jetën e qytetarit”.