Qehaja: Krijimi ushtrisë së Kosovës nuk ka kthim

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka bërë me dije se ushtria e Kosovës nuk ka kapacitete ta rrezikojë askënd.

Lajme

16/03/2017 09:22

Ai ka thënë se doktrina e ushtrisë së Kosovës është mbrojtëse, e jo ofensive.Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka përkrahur iniciativën e presidentit Thaçi për avancimin ligjor të FSK-së, duke i ftuar subjektet politike ta votojnë projektligjin për këtë çështje.

“Ne me 8 mijë pjesëtarë lehtë të armatosur apo me armatim të këmbësorisë nuk mund ta rrezikojmë askënd në rajon, më së paku Serbinë. Botërisht dihet se doktrina jonë ushtarake është e paraparë për vetëmbrojtje. Pra, kemi doktrinë mbrojtëse, jo ofensive. Madje, ne nuk kemi as armatim të paraparë për veprime ofensive. Mendoj se kjo nismë e presidentit, ky projektligj, duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Qehaja.
Ai ka vlerësuar se formimin e ushtrisë së Kosovës e bëjnë urgjente kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia dhe shtimi i ndikimit rus në Ballkan. Qehaja ka treguar pse NATO-ja dhe aleatët e Kosovës po hezitojnë ta përkrahin avancimin e FSK-së në forcë ushtarake mbrojtëse. “Si njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë e kam pasur të qartë se NATO-ja nuk do ta përkrahë këtë iniciativë, ngaqë në kuadër të kësaj organizate janë edhe disa shtete që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Pastaj, NATO-ja përmes KFOR-it vepron në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 e cila ka qëndrim neutral ndaj pavarësisë së Kosovës. Pra, një kundërshtim i tillë është pritur, pavarësisht se një ndihmë bukur të madhe NATO-ja ka dhënë për aftësimin e kuadrove të FSK-së për gatishmëri emergjente dhe për mbrojtje civile”, ka thënë Qehaja, duke shtuar se hezitimi i disa aleatëve të Kosovës për këtë çështje vjen pas lobimit të madh të Serbisë. Pavarësisht prej këtyre shqetësimeve të partnerëve të Kosovës,

Qehaja i ka ftuar institucionet e Kosovës që kësaj çështje t’i shkojnë deri në fund.

“Mendoj se projektligji duhet të votohet në Kuvend, pavarësisht prej këtyre shqetësimeve dhe kundërshtimeve të faktorit ndërkombëtar. Ne duhet të fillojmë të ndërtojmë diçka për ta përmbyllur një çështje që është shumë e rëndësishme. Me aprovimin e këtij projektligji, i cili ka të bëjë me dhënien e kompetencave ushtarake FSK-së, ne faktikisht po e përmbyllim çështjen e pavarësisë së Kosovës, sepse pa shtyllën e plotë të sigurisë asnjë shtet nuk mund të quhet shtet”, ka thënë Qehaja. Sipas tij, krahas procedimit të këtij projektligji, Kosova urgjentisht duhet të fillojë një ‘ofensivë’ politike-diplomatike për t’iu shpjeguar aleatëve nevojat e formimit të forcës së armatosur.