Qarqet gjermane: Doganat ndëshkuese amerikane më 1 Maj

Qeveria gjermane me sa duket nuk llogarit më me përjashtimin e Gjermanisë dhe vendeve anëtare të BE nga doganat ndëshkuese për aluminit dhe çelikun. Kjo u bë e ditur të enjten nga qarqe qeveritare në Berlin.

Bota

26/04/2018 16:03

Kanë qenë disa media gjermane që pak para fillimit të vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel në SHBA (të premten. 27.04) kanë bërë të ditur se me sa duket doganat ndëshkuese amerikane për çelikun dhe aluminin e importuar nga vendet e BE do të hyjnë në fuqi më 1 Maj. Pas miratimit të këtyre doganave në mars, Donald Trump dhe administrata e tij bën përjashtime për një kohë të caktuar për europianët dhe partnerët.

“Nga pikëpamja e sotme duhet të përgatitemi se doganat do të vendosen më 1 Maj”, tha një përfaqësues qeveritar gjerman pak para se kancelarja gjermane të udhëtonte në Uashington. Të premten Merkel takohet me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Këtë javë ishte edhe presidenti francez, Emmanuel Macron në Uashington, gjë që në media u cilësua si ofensive sharmante europiane drejt Uashingtonit.

Debat kontrovers

BE kërkon të arrijë një linjë të përbashkët në negociatat me SHBA. Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmeier kishte bërë më parë të ditur, se në Francë ka një “debat kontrovers” se çfarë ofertash negociimi i duhen bërë SHBA-së. Presidenti Macron ishte këtë javë për vizitë në SHBA. Edhe kancelarja do të përpiqet të premten të mënjanojë një shkallëzim të konfliktit tregtar me SHBA është shprehur, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.

SHBA është partneri më i rëndësishëm tregtar për BE. Gjatë vitit të kaluar janë eksportuar në SHBA mallra në vlerë prej 375 miliardë euro nga 28 vende të BE. Kjo është dyfish më shumë se sa BE eksportoi në Kinë./DW