Qalaj: Objektivi i policisë, luftimi i krimit dhe korrupsionit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se objektivi i Policisë është luftimi i krimit dhe korrupsionit

Lajme

27/01/2019 21:27

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka bërë me dije se janë marrë një sërë masash për parandalimin e vjedhjeve dhe plaçkitjeve.

Ai ka thënë se policia është duke identifikuar kryerësit e këtyre veprave penale dhe së shpejti do t’i sjellë para drejtësisë.

Në një intervistë për ‘Epokën e Re’, Qalaj ka thënë se luftimi i krimit dhe korrupsionit është objektivi kryesor i policisë.

Sipas tij, luftimi i krimit dhe korrupsionit duhet të bëhet për të ardhmen e vendit dhe jo për shkak të liberalizimit të vizave dhe integrimeve europiane.

Qalaj ka kërkuar ndihmën e institucioneve që Policia e Kosovës të bëhet sa më shpejt me sigurim shëndetësor dhe sigurim jetësor.

Ai ka bërë me dije se Policia e Kosovës edhe këtë vit do të bëjë përpjekje për t’u anëtarësuar në INTERPOL.