Q7’shi mbetet në garazh të Komunës

Shpend Ahmeti thotë se Komiteti për Politikë dhe Financa ka votuar kundër shitjes së veturës së Isa Mustafës. Paratë nga shitja e tij mendohej të shfrytëzoheshin për projekte sociale.

Lajme

19/02/2014 19:16

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti thotë se fajin për mosshitjen e veturës Audi Q7 për të cilën pati premtuar se do ta shiste me të filluar mandatin si kryetar, nuk e ka vetë ai.

Këtë faj, sipas tij e ka vota kundër shitjes së kësaj veture nga Komiteti për Politikë dhe Financa në Komunën e Prishtinës.

“Sa për sqarim, komiteti për politikë dhe financa ka votuar kundër shitjes së Audi Q7 (70,000 euro vlerë dhe mbi 10,000 euro në vit vetëm shpenzime për naftë)”.

“Por, kjo pikë do të jetë edhe në rend të ditës në mbledhjen e kuvendit”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook.

Por, shëtitja me makina të tillë për Ahmetin është jo e arsyeshme, derisa, thotë se, me të shitur këtë veturë, paratë do t’i dedikojë në projekte sociale.

“Nuk ka kurfarë arsyetimi që në këtë komunë me këtë gjendje ekonomike të shëtitemi në makina të tilla. Paratë nga shitja duam ti dedikojmë në projekte sociale”.