Puyol me punë të re

Carles Puyol ka përfunduar karrierën e tij si futbollist. Por, ish mbrojtësi do të mbetet në Barcelonë. Ai është emëruar asistent i Andoni Zubizarretas, në departamentin menaxhues sportiv.

Sport

30/05/2014 16:22

Barcelona ka njoftuar se nga shtatori, Carles Puyol do t’i bashkohet departamentit të futbollit në klub, të udhëhequr aktualisht nga Andoni Zubizarreta, në rolin e asistentit në ekipin menaxhues sportiv.

Emërimi i Puyolit nënkupton se njëri prej kapitenëve ikonë të klubit, do të mbetet në Camp Nou, dëshirë e shprehur më parë edhe nga presidenti, drejtorët, trajneri dhe futbollistët, pas ngjarjes së lamtumirës së tij nga fusha, më 15 maj.

“Dua të falënderoj Barcelonën për gjithçka që më ka dhënë në të kaluarën dhe për këtë mundësi të re. Do të jap maksimumin, dhe sigurisht se do të mësoj shumë gjëra të reja”, deklaroi Puyol për uebfaqen zyrtare të klubit.

“Gjithmonë kam luajtur futboll dhe jam munduar ta bëj në mënyrën më të mirë të mundshme, njësoj do ti qasem edhe kësaj detyre të re. Tani më duhet pak pushim për të vazhduar trajtimin e lëndimit të gjurit, por mezi pres të filloj. Jam shumë i lumtur rreth kësaj etape të re në jetën time”, u shpreh ai.