Putin ka planifikuar ta pushtojë Ukrainën para rënies së Janukoviçit

Vlladimir Putin e ka nisur planin e aneksimit të pjesëve të Ukrainës para më shumë se 12 muajve, zbulon dokumenti që është publikuar nga e përditshmja e pavarur ruse Nova gazeta.

Bota

25/02/2015 23:07

Zyra e Putinit e ka ideuar planin detaj për shfrytëzimin e forcave pro-ruse në Ukrainë, në mënyrë që Rusisë t’i bashkëngjiten Krimeja dhe Ukraina lindore dhe kjo është bërë derisa në pushtet ende ishte presidenti Viktor Janukoviç.

Sipas një dokumenti të Nova gazeta, Putin e konsideronte Janukoviçin “politikisht të falimentuar” dhe për këtë arsye është sajuar plani që do të nxisë reagim zinxhir e që në fund do të sillte deri te ekspansioni rus në Ukrainë.

Këto pohime deri diku të habitshme fitojnë në peshë kur dihet se Nova Gazeta është nominuar për Çmimin Nobel për paqe dhe se bëhet fjalë për një nga gazetat e fundit ruse që ka mbetur e pavarur.

Ky dokument thuhet se për herë të parë Putinit i është dorëzuar ndërmjet datave 3-12 shkurt 2014, në periudhën kur Parlamenti ukrainas mori vendim për revokimin e Janukoviçit.

Në mesin e hapave të planit djallëzor është edhe ai që Janukoviç, pas shkarkimit të paraqitet si viktimë e grusht-shtetit dhe të prezantohet si i vetmi lider legjitim ukrainas.

Ky dokument paralajmëron se përkrahja ruse Krimesë dhe Ukrainës lindore do të “paraqesë ngarkesë për buxhetin në ato momente”, por njëkohësisht Rusia do të “realizojë fitim në vlerë të pamatshme në aspektin e resurseve të reja demografike dhe njerëzve me kualifikime të larta në këtë territor industrial”.

Origjinaliteti i këtij dokumenti nuk është e mundshme të konfirmohet, shkruan agjencia Reuters, kurse Nova gazeta nuk ka publikuar as kush e ka përgatitur këtë plan dhe as se a është miratuar ai nga Kremlini.

Zëdhënësi i Putinit në Moskë, Dmitrij Peskov ka thënë se “të gjitha këto janë budallallëqe gazetareske”.