Putin i jep urdhër ushtrisë të tërhiqet

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka urdhëruar forcat ushtarake të cilat kanë marrë pjesë në stërvitjet në kufi me tri rajonet në Ukrainën lindore, të kthehen në bazat e tyre.

Bota

19/05/2014 12:44

Sipas një deklarate të lëshuar nga Kremlini, presidenti ka urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes që të tërheq të gjitha trupat që kanë marrë pjesë në stërvitje, në Rostov, Belgorad dhe Bryansk.

Sipas BBC, trupat ushtarake ruse tashmë janë nisë drejt kazermave të tyre ushtarake.

Ende nuk dihet me saktësi se sa trupa ushtarake ruse do të tërhiqen, që sipas NATO-s, Rusia ka stacionuar rreth 40 mijë trupa në kufi me Ukrainën.

Largimi i trupave ruse nga kufiri me Ukrainën, sipas analistëve do të ndihmonte uljen e tensioneve në këtë vend, që filluan pas aneksimit të Krimes nga Rusia, dhe nxitjen e rajoneve tjera separatiste ukrainase për t’iu bashkuar Federatës Ruse.

Presidenti rus edhe njëherë më parë kishte deklaruar se trupat ruse janë larguar nga kufiri me Ukrainën, por ishte demantuar nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin  njoftuar se nuk ka shenja të tërheqjes, pavarësisht deklaratës së Putinit të dhënë më 7 maj.