Putin e shkarkon arkitektin e regjimit autoritar rus

23:40 | 18 Shkurt 2020

Presidenti rus, Vladimir Putin, shkarkoi sot një prej këshilltarëve të tij më emblematik, Vladislav Sourkov, strateg në krizën ukrainase dhe arkitekt i “hierarkisë së pushtetit”.

Shkarkimi i Sourkov, 55 vjeç, një personalitet enigmatik i jetës politike ruse dhe një prej figurave më problematike të rrethit të Vladimir Putin u njoftua nga një dekret i publikuar në faqen në internet të Kremlinit.

Sourkov ishte zëvendësuar më 11 shkurt nga zëvendësshefi i administratës presidenciale, Dmitri Kozak, 61 vjeç, si kryenegociator për konfliktin në lindje të Ukrainës, në momentin e fillimit të procesit të paqes mes Moskës dhe Kievit.

Vladislav Sourkov është për shumë opozitarë rusë si “një makth” sepse ka qenë ai, i cili që prej administratës presidenciale, ka organizuar në fillim të viteve 2000 krijimin e një sistemi pushteti me media të kontrolluara, një opozitë fleksibël në Parlament dhe shtypjen e protestave publike.