Pushim të këndshëm

Koha e fjalëve të mëdha mbaroi. Subjektet politike thanë çka patën, gjatë një muaji, në tentim për të fituar votat dhe pushtetin edhe për katër vjet. Një ditë heshtje dhe pastaj flasin qytetarët.

Lajme

02/11/2013 00:00

Heshtja zgjedhore filloi.

Subjektet politike, përgjatë një muaji fushate elektorale, kanë shpalosur ofertat e tyre para qytetarëve – në tentim për t’i bindur ata që më 3 nëntor t’ua japin votën për të qeverisur në katër vjetët e ardhshme.

Prej sonte në mesnatë, ato nuk do të flasin më.

Me 3 nëntor, ndërkaq, është radha e qytetarëve – të cilët do të vlerësojnë për të mirë, ose do të ndëshkojnë për të keq.

Lista përfundimtare e votuesve për vitin 2013 përmban 1.779.357 emra të votuesve të ndarë në 38 komuna.

Numri i Qendrave të Votimit që do të hapen në mëngjesin e 3 nëntorit është 798, ndërsa numri i vendvotimeve është 2366.

Në bazë të Ligjit për Zgjedhje Lokale, elektorati do të zgjedhë anëtarët e Kuvendeve Komunale dhe Kryetarët e Komunave, në tërë komunat e Kosovës.

Po ashtu, do të mbahet kuota gjinore prej 30% për deputetet e Kuvendeve Komunale.

Zgjedhjet lokale në Kosovë për herë të parë do të mbahen edhe në pjesën veriore të vendit dhe ky është vlerësuar si një hap i rëndësishëm për zhvillimin politik.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për një proces demokratik, duke konstatuar se këto zgjedhje janë elementi thelbësor që ndihmon në vazhdimin e përparimit të Kosovës drejt rrugës europiane.