Pupovci: UP po vazhdon rrugën drejt greminës

Eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci thotë se me shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” po “vazhdon rrugën drejt greminës të filluar moti”, raporton lajmi.net.

Lajme

21/10/2015 20:02

Pupovci thotë se Zejnullahu tash mund të fle i qetë, ndërsa profesorët që ishin kundër tij “mund të marrin frymë lirshëm” pasi sipas tij, ata parapëlqyen “kaosin dhe degradimin e rendit dhe cilësisë”.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Pupovcit postuar në Facebook:

Ramadan Zejnullahu sonte mund të fle i qetë. E hoqi një barrë të rëndë nga vetja. Nuk mund të bëj një njeri, me një ekip të vogël, rregull në një institucion të kapur nga klanet dhe grupet kriminale.

Tani mund të marrin frymë lirisht shumica e profesorëve që parapëlqyen kaosin dhe degradimin në vend të rendit dhe cilësisë. Mund të mbajnë mësim në 10 vende, të sigurojnë honorare të majme dhe të fitojnë një autoritet të rremë që përfundon në Han të Elezit, në Merdarë, në Vërmicë dhe në pikat tjera kufitare të Kosovës. Mund të marrin frymë lirisht edhe disa liderë studentorë që, sa u pa nga paraqitjet e tyre, as të 36 shkronjat nuk i kanë mësuar si duhet se me i lidhë në fjalë jo se jo. Tani do të bëhen asistentë, e nesër, pse jo edhe profesorë, edhe „dekanër“, si idolët e tyre, dikur edhe vet liderë studentorë.

Mund të marrin frymë lirisht, por vetëm përkohësisht, edhe të gjithë studentët e tjerë. E keni të garantuar afatin e tetorit, e po pati nevojë edhe të nëntorit edhe të dhjetorit. Vetëm rrini urtë. Edhe ju që nuk jeni pranuar në studime, tani do të pranoheni, e bashkë me ju edhe nja 2000 të tjerë që janë lidhje e këtij ose atij. E sa do të vlejë diploma për këtë askush nuk do të mërzitet. Kur ta kuptoni këtë, atëherë do të ju zihet fryma.

Ky Universitet po vazhdon rrugën drejt greminës të filluar moti. A ka fuqi që e ndalë në këtë udhë pa krye?