Punësimet partiake në Ekipin Negociator, mund ta dëmtojnë Kosovën në dialogun me Serbinë

Ekipi Negociator mund të emërojë njerëz të rinj, në bazë të preferencave politike e familjare. Por, njohësit e çështjeve politike thonë se kjo gjë do ta dëmtojë shumë Kosovën në procesin e dialogut.

Lajme

03/04/2019 20:49

Punësimet partiake e familjare pritet që ta prekin edhe Ekipin Negociator, përkatësisht Zyrën koordinuese të këtij ekipi.

Propozimet e deritanishme të bashkëryesuesve, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj pos që ndërlidhen politikisht, janë të ndërlidhura edhe në baza familjare.

Donika Emini nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë tha se ekipi negociator e ka të pamundur  t’i shmangët punësimeve partiake.

Emini më tej tha se ende është skeptike në lidhje me rolin e këtij ekipi negociator në Bruksel.

“Unë ende kam dyshimet e mia nëse nepotizmi në Ekipin Negociator do të ketë impakt në Bruksel,  por mesazhi që çon te qytetarët ky ekip me këto veprime është mjaft i dëmshëm. Ky ekip kur është themeluar, qytetarët kanë menduar se do të ketë transparencë dhe kanë besuar se kjo forcë e re do të parandalojë gabimet në dialog. Por lajmet për punësimin e familjarëve në ekip, tregon se ky ekip nuk do të sjellë asgjë të re”, tha  për RTV Dukagjinin, Donika Emini.

Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija, thotë se ekipi negociator është thjeshtë një zhvatje e buxhetit të Kosovës.

“Nuk është asgjë më shumë se sa zhvatje edhe më tutje e buxhetit ashtu siç bën edhe Qeveria me punësimet. Pra është e njëjta logjikë e bartjes së familjarizimit të subjekteve politike brenda Ekipit negociator. Kjo padyshim se e dëmton cilësinë e procesit të dialogut me Serbinë”, tha Rasim Alija.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i ka arsyetuar punësimet politike, duke thënë se edhe vet dialogu me Serbinë është politik.

Reagime ka pasur edhe nga partitë opozitare që nuk janë të përfshira në dialog. Lumir Abdixhiku nga Llidhja Demokratike e Kosovës, përmes një postimi në facbook, bëri të ditur se Serbia ka angazhuar ekspertët më të mirë për procesin e dialogut, ndërsa Kosova ka angazhuar militant partiak e politik.