Pulla e Bekim Fehmiut

Kosova ka edhe një pullë postare, të njëqindtën me radhë. Kjo u nda për aktorin me renome botërore, shqiptarin Bekim Fehmiu. Tashmë, ai do të udhëtojë nëpër botë, siç bëri vetë me profesionin e tij.

Lajme

05/12/2013 12:37

Kinemaja ABC është mbushur përplot me mysafirë, të enjten.

Aktorë, dramaturgë,  ministra, e të afërm të Bekim Fehmiut, me  të hyrë në sallë e kishin parë gjithsecili pamjen e pullës postare me fytyrë n e tij, që përsëritej gjithnjë në ekranin e madh të kinemasë.

Kjo pullë postare shënon numrin 100 të pullave të përgjithshme nga Posta e Kosovës. Dhe, këtë numër e gëzon ikona e kinematografisë shqiptare.

\"Pulla

Kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, në ceremoninë e përurimit, ka thënë se në tematikën kinematografia botërore nuk ka qenë e vështirë të përcaktohet njeriu që do të përzgjidhet.

“Ne jemi krenarë që patëm një aktor që do të mbetet gjithmonë i pavdekshëm në historinë e kinematografisë botërore. Nga sot, ai është bërë nga vlerat më të mëdha të filatelisë së Postës së Kosovës”.

Ministri i Kulturës dhe Sportit, Memli Krasniqi, tha për pullën e re postare që do të udhëtojë në gjithë botën, siç edhe vetë Bekim Fehmiu udhëtonte.

“Kjo pullë postare do të çojë Bekim Fehmiun sërish në ato vende ku ai ka shkelur me profesionin e tij. Vepra e tij, gjithë ato role, ata filma në të cilët ka luajtur, janë thesar shumë i çmuar për ne. Përveç që mburremi me të, ne duhet ta nderojmë në masën dhe mënyrën që e meriton”.

“Mbi të gjitha, ndjehem jashtëzakonisht mirë që çmimi për veprën jetësore në fushën e kinematografisë mban emrin e Bekim Fehmiut”.

I pranishëm në këtë eveniment ishte edhe Rafis Aliti, drejtor i Postës së Maqedonisë, duke përgëzuar punën e Postës së Kosovës.

“Bekim Fehmiu u shkëput nga Kosova, por shkëlqeu si yll në mesin e artistëve më të mëdhenj botërorë. Kështu që, unë si i ri, si shumë të rinj të tjerë, krenoheshim me Bekim Fehmiun, me të krenohem edhe sot”.

Filatelia e Kosovës funksionon nga viti 2000 dhe ka realizuar pulla postare për pavarësinë e Republikës së Kosovës, 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, si dhe pulla të tjera postare me personalitete të shquara kombëtare.

Posta e Kosovës dhuroi një pllaketë për Familjen e Fehmiut, e këtë e pranoi Agon Fehmiu.

Ky i fundit, lexoi për të pranishmit letrën e Branka Petric, të bashkëshortes së Bekim Fehmiut, e cila falënderoi për nderimet që i bëhen aktorit.