Publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses me të cilin u rrëzua ligji i Qeverisë Kurti për KPM-në
Gjykata Kushtetuese ka publikuar Aktgjykimin e plotë, përmes të cilit rrëzoi Ligjin e Qeverisë Kurti për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke e cilësuar si anti-kushtetues. Në Aktgjykimin prej 109 faqesh theksohet se nënparagrafe të këtij Ligji binin ndesh me Kushtetutën dhe si i tillë shfuqizohet. “Andaj, duke marrë parasysh që bazuar në paragrafin 2…

Lajme
Gjykata Kushtetuese ka publikuar Aktgjykimin e plotë, përmes të cilit rrëzoi Ligjin e Qeverisë Kurti për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke e cilësuar si anti-kushtetues.
Në Aktgjykimin prej 109 faqesh theksohet se nënparagrafe të këtij Ligji binin ndesh me Kushtetutën dhe si i tillë shfuqizohet.
“Andaj, duke marrë parasysh që bazuar në paragrafin 2 të nenit 43 të Ligjit, Ligji i kontestuar sipas paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës nuk mund të dekretohet, të hyjë në fuqi, apo të prodhojë efekte juridike pa nxjerrjen e vendimit nga Gjykata, si dhe në pajtim me nenin 27 (Masat e Përkohshme) të Ligjit dhe me rregullin 57 [Vendimi për masë të përkohshme] të Rregullores së punës, kërkesat për masë të përkohshme, janë pa objekt shqyrtimi dhe, si të tilla, refuzohen (shih, mutatis mutandis, Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO43/19, parashtrues Albulena Haxhiu, Driton Selmanaj dhe tridhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, Aktgjykim i 13 qershorit 2019, paragrafi 113, dhe Aktgjykimin e Gjykatës në rastet KO100/22 dhe KO101/22, cituar më lart, paragrafi 411)”, thuhet në Aktgjykim.
Ky Ligj ishte dorëzuar në Kushtetuese nga PDK dhe LDK.
“Lidhur me këtë, Aktgjykimi thekson se i takon Qeverisë dhe/ose Kuvendit që gjatë rishqyrtimit të Ligjit të kontestuar të shqyrtojë tutje çështjet e ngritura përkitazi me përkufizimet/definicionet, si dhe obligimet që parashihen nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim sa i përket legjislacionit të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, Aktgjykimi që do të publikohet vë theksin në nevojën për gjithëpërfshirje dhe mundësinë për konsultime përmbajtjesore gjatë rishqyrtimit të Ligjit të kontestuar, duke pasur parasysh ndikimin që i njëjti ka në funksionimin e mediave në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Ky Ligj parashihte licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Sipas këtij Ligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.
Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.
Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor te KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.
Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, ligji parashihte edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre.