PTK’së i duhet këndellje

Muhamet Mustafa konsideron se qeverisja ekonomike dhe makro-ekonomike në Kosovë është e improvizuar, amatoreske. Sipas tij, çështja më urgjente që duhet të adresohet është reformimi i këtyre politikave. Thotë se PTK duhet t’i nënshtrohet një këndelljeje.

Lajme

21/01/2014 06:36

Udhëheqësi i Grupit të Ekspertëve të Ekonomisë, i njohur si Grupi E15, Muhamet Mustafa, thotë se tash pas dështimit të privatizimit Posta dhe Telekomi i Kosovës duhet t’i nënshtrohet një këndelljeje.

Hapi i parë, sipas tij, është që të hiqet embargoja e Qeverisë për investime.

“Duhet të investohet shpejt në 3G, në mënyrë që të mos ngelet prapa konkurrencës. Dhe, të bëhet një program i partneritetit publiko-privat, d.m.th i shitjes së një përqindjeje të aksioneve”, thotë Mustafa, në një intervistë për lajmi.net.

Në këtë intervistë, Mustafa flet edhe për faturat e larta të energjisë elektrike, për procesin e privatizimit në Kosovë, si dhe për sfidat ekonomike të Kosovës gjatë këtij viti.

Lajmi.net: Cilat janë sfidat kryesore ekonomike te Kosovës për vitin 2014?

Muhamet Mustafa: Sfida kryesore në ekonominë e Kosovës është si të dilet nga një status-quo, sa i përket rritjes së ngadaltë ekonomike dhe një status-quo në mënyrën e krijimit të politikave ekonomike.

Rritja ekonomike prej 2-4 %, që është shumë më pak se sa ajo që është e nevojshme dhe ajo që ka pas proklamuar Qeveria.

Faktikisht, në këto vite ndodhemi në intervalin e ulët të kësaj rritjeje për rreth 2.5% dhe sivjet ka sfida që të mbahet kjo rritje për arsye të problemeve të cilat janë në klimën e biznesit, problemeve me investime, probleme që të mbahet stabiliteti i buxhetit makrofiskal. Kjo, për arsye se buxheti i sivjetmë ka disa probleme me shpenzime të ndryshme, të ardhura të ndryshme, me atë që është llogaritur me të ardhura nga privatizimi i PTK’së i cili siç dihet ka dështuar.

Në llogari të këtij privatizimi janë paraparë investimet që megjithatë mendohen të fillohen. Premtimet për rritjen e të ardhurave personale janë shumë më të larta sesa që janë në buxhet. Pakoja sociale është shumë e ngarkuar, po e shihni revoltën e veteranëve dhe invalidëve të luftës të cilët janë premtuar me vite, por përmbushja e premtimeve shtyhet sepse pakoja sociale është ngarkuar me të tjerë probleme. Dhe, fatkeqësisht, atyre që u duhet më së shumti tash mund të ndodhë që të ketë probleme me adresimin e tyre. Me një fjalë, Kosovën e presin sfida të shumta në stabilitetin makro-ekonomik para se gjithave rritjen ekonomike e rritjen e punësimit por do të ketë probleme edhe me aspektet sociale. Do të ketë tensione sociale. Të shpresojmë se tensionet politike të kontrollohen në një vit kur hyjmë edhe në zgjedhje.

Lajmi.net: Cilat janë çështjet qe duhet te adresohen urgjentisht, ne sektorin e ekonomisë?

Muhamet Mustafa: Çështja më urgjente që duhet të adresohet dhe duhet të reformohet është mënyra se si krijohen politikat. Si merren vendimet për politikat. Si bëhet monitorimi në zbatimin e këtyre politikave. Politikbërja, në aspektin e  qeverisjes ekonomike dhe qeverisjes makro-ekonomike në Kosovë, është shumë e improvizuar, është fragmentare, për të mos thënë ka shumë elemente amatoreske.

Sepse, nuk ka analiza në çdo politikë që përcakton Qeveria, çdo ligj që sjell Qeveria duhet të simulohet, domethënë, duhet të provohet në alternativa të ndryshme, çfarë janë efektet e atij ligji tek qytetarët, çfarë janë efektet te bizneset, dhe cili është kombinimi më i mirë i politikave dhe masave.

Qeveria jonë nuk ka analiza të tilla. Prodhimi i statistikës lidhur me produktin shoqëror, lidhur me punësimin, lidhur me prodhimin është tejet i varur. Ne ende në statistikat tona nuk dimë sa vetë punojnë në Kosovë. Nuk dimë çfarë produktesh dhe sa produkte prodhojnë sektorët e caktuar të industrisë.

Domethënë, kemi të dhëna të pamjaftueshme për të krijuar politika të mira, dhe, është për çudi që Qeveria jonë nuk e ndien mungesën e saj. Sepse, edhe ashtu ka krijuar një shprehi që të krijojë politika ose sipas asaj që merr këshilla nga jashtë, ose sipas vendimeve dhe preferencave ad-hoc.

\"Muhamat

Lajmi.net: Si e shihni ju procesin e privatizimit ne Kosove?

Muhamet Mustafa: Procesi i privatizimit në Kosovë është përcjellë me dilema kontroverse. Ka qenë problem që të fillohet procesi i privatizimit. Ka pasur kundërshtime nga Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare për arsye se kontestohej subjektiviteti i kosovarëve në pronën e tyre.

Ne kemi bërë presion që të fillojë privatizimi. Por, me fillimin e privatizimit ai nuk u menaxhua si duhet, ish AKM’ja ishte e mbyllur ndaj vërejtjeve e sugjerimeve. AKP’ja kohëve të fundit po përcillet me dobësi shumë të mëdha. Dhe, efektet nga privatizimi janë shumë të ulëta për arsye të menaxhimit të dobët jo për arsye që është modeli i dobët. Modeli nuk është aq i dobët por menaxhimi është shumë i dobët.

E dyta, fondet e privatizimit mbahen të ngrira  dhe ky problem shkon me vjet, dhe kjo është ajo qasja e Qeverisë që nuk merret me problemet esenciale për t’i zgjidhur ato. A ka zgjidhje, ka zgjidhje, natyrisht. Por, duhet të formohen qëndrimet e argumentuara dhe të shtrohen para bashkësisë ndërkombëtare se këto mjete duhet të përdoren.

Tani kemi ardhur në një situatë kur kemi në Agjencinë Kosovare të Privatizimit 295 vetë të cilët punojnë, dhe ata për çdo punë të madhe bëjnë kontrata me dikë nga jashtë. Vitin e kaluar  shitjet nga privatizimi kanë qenë diku 20 milion qe kanë ardhur fonde, kurse i ka shpenzuar agjencia bashkë me kontraktorët rreth 10 milionë, d.m.th 50% të asaj që shesin ata e shpenzojnë.

Kjo është një absurd dhe tash nevojitet që patjetër AKP’ja ta përfundojë punën për një vit e gjysmë dhe të mbyllet, për arsye se, kështu si është në vend që të prodhojë zgjidhje po prodhon probleme.

Lajmi.net: Në ketë kontekst, si e shihni tani pas dështimit te shitjes se PTK, te ardhmen e kësaj ndërmarrje. Si duhet te veprohet me PTK’ne?

Muhamet Mustafa: PTK’ja duhet t’i nënshtrohet një këndelljeje. Këndellja e parë është që duhet të hiqet embargoja e Qeverisë për investime. Duhet të investohet shpejt në 3G, në mënyrë që të mos ngelë prapa konkurrencës. Dhe, të bëhet një program i partneritetit publiko-privat, dmth i shitjes së një përqindjeje të aksioneve, por me ruajtjen e një pronësie të konsiderueshme, jo më të vogël se 40% të Qeverisë së Kosovës në PTK, në mënyrë që ky aset të mos dalë jashtë kornizave të interesit strategjik të Kosovës.

Sepse, privatizimi i 75% do të thotë që Qeveria humb çdo kontratë në këtë aset, e ky është aset jo vetëm i rëndësishëm për nga aspekti ekonomik por edhe politikë edhe i sigurisë e shumë çështje të tjera.

Prandaj, besoj se Qeveria dhe Komisioni Qeveritar për privatizimin e PTK’së duhet të ketë nxjerrë mësim, duhet t’i bëjë shpejtë këta hapa. Duhet të krijojë një strategji të re ta sjellë në Kuvend dhe të krijojë një privatizim apo një partneritet publiko-privat që do ta valëzonte më shumë një aset që ka 1 milion konsumatorë.

Ne i nënçmojmë asetet tona. Unë habitem kur thonë që PTK’ja s’ka vlerë, po i bie vlera kurse PTK’ja i ka 1 milion konsumatorë. Çdo investitor e respekton një aset që ka 1 milion konsumatorë. Nëse vazhdon kështu me neglizhencë, me ndalim të investimeve me qeverisje të keqe atje shefi i bordit që ka shkuar atje, ai është bord i politizua.

Ne kemi pasur me mijëra njerëz më të kualifikuar t’i dërgojmë në atë bord.

Në këtë mënyrë, nëse vazhdon Qeveria kështu, atëherë Qeveria është ajo që po ja humb vlerën dhe ajo duhet të marr përgjegjësi që po ja humb vlerën e Telekomit të Kosovës dhe Valës.

Lajmi.net: Tani kemi aktuale çështjen e pakënaqësisë me faturat e energjisë elektrike? Ku qëndron problem sipas jush?

Muhamet Mustafa: Ne kemi pasur Komisionin Hetimor që ka propozuar rekomandimet të cilat Kuvendi i Kosovës i ka aprovuar pothuajse me konsensus në korrik të vitit të kaluar dhe ato konkluza kanë adresuar një mori detyrash për subjektet e caktuara.

Ka filluar aktiviteti që të korrigjohen tarifat. Problemi kryesor është me tarifat.

Tarifat janë të vjetruara, nuk e shprehin strukturën e konsumit dhe brenda vetes kanë disa anomali, të cilat ndikojnë që një konsumator që shpenzon shumë të paguajë një pjesë të çmimit për atë konsumatorë që shpenzon më pak.

Ose të paguajë edhe për atë të cilin nuk i paguan faturat. Ose të paguajë dobësitë në menaxhim të KEK’ut. Domethënë, është një lloj përzierje në faturën e një transparence të munguar dhe kemi kërkuar që ky sistem i tarifave të reformohet thellësisht.

Zyra e Rregullatorit ka filluar aktivitetet në këtë drejtim, nuk jemi të kënaqur. Ata thonë që po diskutojmë, po shqyrtojmë po marrim mendime por për 6 muaj është dashur të dalin me një dokument i cili tregon qartë preokupimet e tyre për këtë. Problemi është me investimet në orë digjitale, në investimet që duhet t’i bëjë KEDS’i përkatësisht Çlik-Limaku, edhe aty kemi marrë disa qëndrime të mjegulluara, ose duan të bishtnojnë rekomandimet e Kuvendit ose nuk e kanë të qartë.

Ne do t’ua bëjmë të qartë që ata janë të obliguar t’i zbatojnë vendimet e Kuvendit. Sepse këtu, kjo shoqëri është mësuar që Kuvendi të vendosë diçka, Qeveria të veprojë ndryshe tjerët veprojnë ndryshe, por duhet të dihet se Kuvendi kur vendos diçka duhet të zbatohet. Ai është ligj, ligji duhet të zbatohet, nuk mund të interpretohen kushdo qysh do dhe të sillet kushdo qysh do.

Në këtë drejtim pra ne presim një sjellje më serioze edhe të ZRRE edhe të Rregullatorit, presim raportin e Auditorit për projektin e orëve në mënyrës si është zhvilluar tenderi dhe arsyeshmërinë dhe nivelin teknologjike dhe financiare të këtij projekti.

\"Muhamet

Lajmi.net: Çfarë duhet te ndërmerret qe te përmirësohet ky problem qe po shqetëson qe dy vjet radhazi qytetaret, për shkak te faturave te larta te energjisë elektrike.

Muhamet Mustafa:  Tarifat duhet të reformohen thellë. Nuk duhet të lejohet kjo shpërndarje e barrës midis konsumatorëve, sepse, ky nuk është funksion i konsumatorëve. Konsumatorët që shpenzojnë pak që janë në gjendje të rëndë sociale duhet t’i adresojë Qeveria jo KEDS’i.

Kjo nuk është punë e një konsumatori që shpenzon njëmijë kilovatë me ia paguar atij konsumatori që shpenzon dymijë kilovat për arsye se ai që shpenzon duhet të paguan me një çmim të arsyeshëm, por duhet ta paguajë Qeveria jo konsumatori tjetër.

Tjetër, konsumatori nuk mund të paguajë për konsumatorët që nuk i paguajnë fakturat e tyre. Konsumatori nuk mund t’i paguajë dobësitë e bordit dhe qeverisjes së KEDS’it, nuk mund të paguajë neglizhencën e Rregullatorit.

Prandaj, ne kemi kërkuar që secili ta bëjë punën e vet. Të reformohen tarifat. Fakturat të jenë transparente. Komunikimi me konsumatorët të jetë transparent dhe secili ta kryej punën e vet dhe të jep përgjigje për punën e vet.