PTK nuk pritet të shitet edhe 5 vjet

Edhe pesë vjet kompania publike PTK do të jetë nën menaxhimin e shtetit. Fadil Ismaili konsideron se PTK nuk duhet të shitet, ngase është ndërmarrje me interes publik dhe, duhet të kihet kujdes në avancimin e proceseve dhe duhet pasur menaxhment profesional.

Lajme

13/02/2014 07:59

Edhe pesë vjet nuk pritet që të privatizohet Posta dhe Telekomi i Kosovës. Kjo është bërë e ditur nga kryeshefi i ekzekutiv i PTK’së Ejup Qerimi në një debat të organizuar nga Instituti “Riinvest” dhe Qendra për Promovim e Zhvillim.

Qerimi ka treguar se Qeveria e Kosovës, si aksionar kryesor i kompanisë, me një vendim i ka hapur rrugë PTK’së të bëjë investime. Rreth 206 milionë euro është vlera e investimeve për pesë vitet e ardhshme, ndërsa, sipas tij, vetëm gjatë këtij viti kanë paraparë të bëjnë investime në vlerë prej 53 milionë eurove.

Se procesi i nisur për privatizimin e 75 të aksioneve të PTK’së ka qenë jotransparent e ka thënë edhe shefi i Bankës Botërore në Prishtinë, Jan-Peter Olters, raporton ‘Kosova Sot’.

Ai tha se mungesa e transparencës ka ndikuar dhe ndikon negativisht në realizimin e projekteve të mëdha.

Prandaj, sipas tij, Qeveria e Kosovës është dashur të jetë më transparente karshi publikut në procesin e privatizimit të PTK’së.

“Historia e përpjekjeve të privatizimit të kësaj ndërmarrjeje strategjike ëshët shembull klasik për paqartësinë lidhur me rolin privat në ekonominë e Kosovës në përgjithësi lidhur me modelin ekonomik”, ka thënë Olters

Megjithatë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka thënë për “Kosova Sot” se PTK’ja nuk do të privatizohet.

“Jo, PTK’ja nuk do të privatizohet, PTK’ja është ndërmarrje me interes publik, duhet të kemi kujdes maksimal në avancimin e proceseve dhe duhet të kemi një menaxhment profesional në mënyrë që kompania të jetë konkurrente”, tha Ismajli.

Ai po ashtu, ka shtuar se në PTK ka mjaft kuadro dhe me këtë përbërje aktuale dhe me persona këshillues do të mund të ecej përpara.