PSRK-ja harton strategjinë e dytë për adresimin e krimeve të luftës
Në mungesë të një strategjie nacionale për adresimin e krimeve të luftës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka hartuar një të tillë vet, për herë të dytë. Strategjia e parë ishte në fuqi nga viti 2019, derisa një version i ri pritet të miratohet vitin e ardhshëm nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. “Strategjia për Krime të…
Lajme
Në mungesë të një strategjie nacionale për adresimin e krimeve të luftës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka hartuar një të tillë vet, për herë të dytë.
Strategjia e parë ishte në fuqi nga viti 2019, derisa një version i ri pritet të miratohet vitin e ardhshëm nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
“Strategjia për Krime të Luftës është planifikuar të miratohet në muajin janar të vitit 2025 së bashku me Planin Strategjik 2025-2027 të Sistemit Prokurorial të Kosovës”.
Megjithatë për Prokurorinë Speciale kjo strategji nuk është e mjaftueshme, pasi vlerëson nevojitet një strategji tjetër e cila do të koordinonte veprimet e të gjitha institucioneve përgjegjëse për hetimin e krimeve të luftës.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se një strategji e tillë, do ta ndihmonte punën e sistemit prokurorial, porse ai kërkon bashkëpunim më të mirë.
“Duhet një bashkëveprim apo koordinim më i mirë mes institucioneve të ndryshme në mënyrë që një strategji e tillë, të jetë më lehetë e zbatueshme, zakonisht mes disa institucioneve bashkëpunimi duhet të jetë më i ngusht, psh tash drejtoria për krime lufte në policinë e Kosovës, normalisht që duhet të jetë krejtësisht me prokurorinë speciale”, ka theksuar ai.
Derisa, Feride Rushiti, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thotë se institucionet tashmë kanë një strategji, që është ajo e drejtësisë tranzicionale.
“Parashihen me strategji nacionale për drejtësi tranzicionale, rritja e numrit të prokurorëve, rritja e stafit logjistik, avancimi dhe ngritja e kapaciteteve janë pjesë e kësaj strategjie, e nëse do zbatohet kjo strategji dhe si do të zbatohet mbetet të shihet që u takon institucioneve, edhe ne si organizatë e kemi përkrah që numri i prokurëve duhet të rritet por edhe numri i kapaciteteve, edhe profilizimi i prokurorëve”, ka deklaruar Rushtiti.
Ditë më parë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është shprehur e gatshme për të diskutuar rreth hartimit të një strategjie të tillë, teksa ka thënë se këtë çështje ia kanë përmendur edhe përfaqësues të sistemit prokurorial. /dukagjini