Pse s’ishte prezente Jahjaga sot në Kuvend?

Në seancën konstituive të Kuvendit, të mbajtur më 17 korrik, përveç korit diplomatik, i cili kishte zënë vendet në lozhë, ishte e pranishme edhe presidentja Atifete Jahjaga, por kështu nuk ndodhi edhe në vazhdimin e seancës, sot. Kjo mund të jetë shenjë e humbjes së legjitimitetit të Kuvendit, si pasojë e ngërçit politik.

Lajme

18/09/2014 22:03

Si çdo herë, kolltuku i rezervuar për Presidenten ishte pranë foltores së Kuvendit. Ajo u ul aty më 17 korrik, ku qëndroi përballë deputetëve.

Duke parë se seanca nuk po shkonte si duhej, duke qenë se atë ditë kishte një bllokim të madh për zgjedhjen e kreut të Kuvendit, Jahjaga nuk duroi shumë dhe u largua nga salla.

Ajo nuk qe e pranishme kur LDK-AAK-Nisma, Vetëvendosje dhe Lista Serbe, por dhe disa deputetë të minoriteteve tjera u kthyen në sallë dhe zgjodhën për kryeparlamentar Isa Mustafën, veprim të cilin Gjykata Kushtetuese më vonë e cilësoi si kundërkushtetues.

Por, në vazhdimin e seancës, të mbajtur sot, shkruan lajmi.net e cila zgjati vetëm pak minuta, presidentja Jahjaga nuk u pa gjëkundi në sallën e Kuvendit.

Arsyet pse Presidentja nuk qe e pranishme sot në vazhdimin e seancës nuk dihen, por mund të supozohet se ajo, duke parashikuar se si mund të rrjedhë seanca e sotme, e cila nuk arriti të zgjedhë për kryeparlamentar kandidatin e PDK-së, Arsim Bajrami, nuk mori fare mundin që të jetë aty.

Gjithsesi, Presidentja sot i thirri në takim të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në Kosovë, ku luajti rolin e saj unifikues dhe lehtësues të cilin ia delegon vet Kushtetuta.

(Lajmi.net)