Pse Serbisë po i intereson kaq shumë liqeni i Gazivodës

Liqeni artificial i Gazivodës është tema kryesore e cila është duke i interesuar Serbisë në negociatat me Kosovën. Edhe pse pala kosovare thotë se kjo temë ende nuk është hapur në diskutime, përfaqësuesit e Beogradit vazhdimisht e përmendin atë, duke thënë se kurrë nuk do të lejojnë që ai liqen të bie plotësisht nën administrimin e Prishtinës.

Lajme

23/05/2015 22:31

Liqeni artificial i Gazivodës i cili ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, për pjesën më të madhe të të cilit shqiptarët kërkojnë administrimin, ka rëndësi strategjike për mbijetesën e serbëve në Kosovë, shkruan B92.

Ky liqen garanton qëndrueshmërinë energjetike e ekonomike të kësaj pjese të Kosovës, dy të tretat e liqenit ndodhen në territorin e Serbisë Qendrore, në territorin e komunave Novi Pazar e Tutin, thuhet në shkrimin e kësaj media serbe.

Prandaj Beogradi angazhohet që i gjithë kompleksi i Gazivodës të mbetet nën kontrollin e Bashkësisë së ardhshme të Komunave Serbe, e cila sipas projeksioneve të Beogradit do të jetë një shtet në shtet.

Edhe nëse autoritetet e BE-së i thonë “jo” hapjes së kapitujve të negociatave të Serbisë me BE-në për shkak të Gazivodës, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq kohë më parë ka deklaruar se nuk do ta pranojë.

Liqeni i Gazivodës ndodhet në territorin e Zubin Potokut, në trekufirin midis Kosovës, Serbisë e Malit të Zi. Ai është ngritur në vitet e ’70-ta me mjete të Kosovës, nga i cili vihet në veprim hidrocentrali i Ujmanit, që prodhon 30 megavat energji elektrike.

Ai është potencial i rëndësishëm energjetik i vendit. Serbia në përpjekjet e saj për të ndarë veriun e Kosovës përmes Bashkësisë së Komunave Serbe, synon të rrëmbejë këtë resurs ekonomik tejet i rëndësishëm për Kosovën.