Pse se ndiejmë peshën e profesionalizmit?!

Shkruan: Agron HOTI

Opinion

31/10/2020 14:15

Qytetarët e Kosovës nuk e dinë që shumica e dokumenteve kryesore institucionale (kryesisht ato strategjike, pastaj ligje, akte nën-ligjore, koncept-dokumente, plane të ndryshme, projekt-propozime, dokumente komplekse të Integrimit Evropian, etj.) që nxirren nga administrata jonë publike (në nivel qendror dhe lokal) hartohen nga projektet e donatorëve të jashtëm, të cilët mbështesin institucionet publike të Kosovës që prej vitit 1999.

Po t’i kërkosh një institucioni vendor draftin e parë të një dokumenti strategjik ose projektligji, jo rrallë ndodh që të pranosh vetëm versionin në anglisht. Kjo për faktin se ai draft është përpiluar nga projekte të ndryshme të donatorëve të jashtëm, të cilat projekte anglishten e kanë gjuhë të punës në Kosovë. Nëse nuk kemi pasur kapacitete institucionale për të instaluar sisteme të ndryshme të Teknologjisë Informative (IT) si fushë e re dhe trenduale jo vetëm te ne, por në tërë globin, nuk mund të arsyetohemi asesi për mosngritjen e kapaciteteve të nevojshme institucionale së paku për hartimin e dokumenteve cilësore për të gjitha fushat e administratës publike.

E Kosova, duke e pasur luksin e madh të pasjes së shumë donacioneve të jashtme (fjala është për ato donacione për këshillë- dhe ekspertizë-dhënie) në vazhdimësi ka pasur cilësi relativisht të mirë të dokumenteve të prodhuara nga institucionet tona, kjo sepse shumica e tyre janë përgatitur dhe përgatiten nga projekte të ndryshme të donatorëve të jashtëm. Për këtë arsye drejtuesit politikë të institucioneve dhe menaxhmentet institucionale asnjëherë nuk janë përballur nga presioni i publikut, mediave dhe shoqërisë civile për të pasur dokumente institucionale cilësore. Bile nuk janë përballur shumë as me presion të BE-së, sepse shumica e dokumenteve komplekse të BE-së të institucioneve të Kosovës hartohen nga vetë projektet e BE-së që zbatohen nëpër institucione të ndryshme të Kosovës.

Ndërkohë që politika jonë – duke mos qenë asnjëherë nën presionin e pasjes së dokumenteve institucionale cilësore, duke mos pasur pothuaj fare përvojë në administratë publike, duke e parë administratën e shtetit, pra motorin e saj, si diçka teknike dhe jo shumë relevante dhe duke pasur luksin e pasjes së shumë projekteve të donatorëve të jashtëm që saktësisht kryenin dhe ende kryejnë punën kryesore të administratës publike, sidomos në hartimin e dokumenteve të shumta dhe të ndryshme – ka punësuar kë ka mundur e sa ka mundur sipas motos “njeriu sa më i paduhur, në vendin sa më të paduhur”. Kuptohet përjashtime ka, por nuk do mend që fryma e promovimit të injorancës ka qenë dhe vazhdon të jetë alfa dhe omega e punësimeve.

Në anën tjetër, Kosova është me fat që përfiton donacione të jashtme gati më shumë se çdo vend në rajon dhe ndoshta edhe në glob. Projektet e donatorëve të jashtëm zbatohen nëpër pothuaj të gjitha institucionet e Kosovës si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Mesatarisht në Kosovë që nga 1999 e deri me sot derdhen çdo vit mes 160 deri në 200 milionë EUR donacione të jashtme (jo investime), të cilat zbatohen përmes projekteve nëpër sektorë të ndryshëm. Është pikërisht ky arsenal donacionesh që ka dembeluar administratën publike në masë të konsiderueshme ashtu sikundër që ka zvogëluar nëse edhe jo zhdukur presionin ndaj politikës për të promovuar profesionalizmin në administratë publike. Kjo shumësi donacionesh ka bërë që politika asnjëherë mos ta ndiejë peshën e fuqizimit të sektorit të arsimit, sepse përderisa projektet e donatorëve të jashtëm po kryenin punën kryesore të administratës publike, sistemi arsimor në Kosovë asnjëherë nuk po sfidohej nga nevoja për reformim të thellë dhe serioz.

Sapo një Ministri apo institucion, fillon me hartimin p.sh. të një plani strategjik, projektligji, koncept-note, apo diçkaje tjetër, me shumë gjasë do të jetë projekti i një donatori të jashtëm, ai i cili do të hartojë atë dokument. Bile kjo punë tashmë është bërë modë, kjo për faktin se administrata jonë menjëherë sapo merret vendimi për hartimin e një dokumenti p.sh. një strategjie apo koncept-dokumenti, ajo menjëherë i kërkon projektit të donatorit të fillojë me hartimin e atij dokumenti, pa e lodhur fort kokën se është vetë ajo që është e thirrur të hartojë dokumentet e tilla të nevojshme. E në momentin që hartohet dokumenti, ai kalon më pas nëpër hallkat procedurale të miratimit dhe krejt në fund prezantohet si produkt i asaj Ministrie apo atij institucioni, ndërkohë që qytetari nuk e di se e tërë puna e hartimit të atij dokumenti është bërë nga projekti i një donatori të jashtëm.

Duhet përmendur se në mungesë të masave joshëse, pagave të ulta dhe presioneve politike në administratë publike ka një sërë ish-zyrtarë/e publikë/e të Kosovës që kanë lëvizur në sektorin privat, kryesisht nëpër projekte e programe të donatorëve të jashtëm, nga ku kryejnë punë të jashtëzakonshme për administratën publike të Kosovës, por tashmë si resurs i jashtëm, pra joinstitucional. Duke qenë se resurset profesionale njerëzore vazhdojnë të jenë aseti numër një, i pazëvendësueshëm dhe baza e funksionimit të një shteti në glob edhe përkundër bumit të paparë global të shekullit 21 të zëvendësimit të resurseve njerëzore me sisteme të avansuara të teknologjisë informative, është e dhimbshme që resurset profesionale, sado të pakta të administratës publike të Kosovës, të braktisin institucionet duke shkuar nëpër projekte të donatorëve të jashtëm dhe pse jo jashtë vendit.

Edhe pse projektet e donatorëve të jashtëm mundohen të pengojnë dhe dekurajojnë këtë trend të absorbimit të fuqisë së kualifikuar të administratës tonë publike nga projektet e tyre, është e pamundur të ndalësh zellin profesionist dhe arsyet e shumta të një pjese syresh që të braktisin administratën publike. Pra, shteti investon në zhvillimin e resurseve të veta dhe ato në vend që të kenë efekte të qëndrueshme dhe pse jo shumëzuese brenda institucioneve, ato i braktisin institucionet publike. E kjo humbje e profesionalizmit dhe memorjes institucionale në administratë publike ndikon drejtëpërdrejtë në performancën e përgjithshme të administratës publike të vendit, gjë e cila në fakt edhe ka ndodhur dhe ndodh për çdo ditë, porse kjo nuk vërehet shumë te qytetari, sepse këtë boshllëk resursesh vendore e përmbushin projektet e shumta të donatorëve të jashtëm.

Por, kjo situatë, kur donatorët do të kryejnë punët tona, nuk do të vazhdojë pambarimisht, sepse do të vijë një ditë, kur numri i donacioneve të jashtme do të zvogëlohet në minimum dhe kur institucionet tona do të mbesin sikur bora para diellit pa resurset e nevojshme profesionale. Sido që të jetë, duke parë gjendjen në të cilën është Kosova, atëherë gjasat për zvogëlimin e donacioneve të jashtme për një periudhë afatshkurtë dhe afatmesme janë të ulta dhe kjo i jep luksin politikës tonë që të ndihet komode në punësimin e injorancës para profesionalizmit duke pamundësuar kështu përshpejtimin e reformimit të administratës publike sipas praktikave më të mira dhe standardeve të BE-së, diçka që në vazhdimësi na kërkohet nga BE dhe të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë.

Në situata normale, projektet e donatorëve të jashtëm, në vend të orientimit të mjeteve të tyre për zhvillime tjera po aq të nevojshme për avansimin e administratës publike si p.sh. drejt dixhitalizimit të saj, ato vazhdojnë të shpenzojnë resurse për punë të njëjta të hartimit të dokumenteve të ndryshme institucionale për Kosovën, diçka për të cilën ne është dashur t’i kishim resurset tona tashmë.

Gjersa BE që nga viti 2010 ka filluar të projektojë të ardhme dixhitale për Evropën, edhe institucionet tona do të duhej të përshpejtonin hapat në këtë drejtim. Sikur ta dixhitalizonim administratën publike do t’i përmirësoheshin dukshëm shërbimet ndaj qytetarëve, do të rritej bashkëpunimi brenda- and ndërinstitucional, do të rritej dukshëm niveli i zbatimit të legjislacionit, do të rritej besueshmëria ndaj të dhënave dhe ndaj institucioneve publike dhe sigurisht do të ulej dukshëm niveli i korrupsionit në administratën publike, ndaj të gjitha këto do të përshpejtonin rrugëtimin e synuar evropian të Kosovës. E ajo ku Kosova do të duhej të investonte më së shumti është sistemi arsimor i saj i kritikuar gjithandej, sepse duke pasur sistem arsimor adekuat do të kishin nivel burimesh njerëzore tërësisht tjetër me atë që kemi sot, do të ishim shumë më konkurues se sa që jemi sot dhe se performanca e institucioneve do të ishte tërësisht ndryshe me atë që është sot.