Pse po ikin mjekët nga Maqedonia?
Nëse kjo gjendje nuk gjen përmirësim, pas tre vitesh Maqedonia do të përballet me mungesë të theksuar të kuadrit mjekësor
Bota
Nga gjithsej 220 mjekë të diplomuar brenda vitit në Maqedoni, 173 prej tyre ikin jashtë vendit për të ushtruar profesionin.
Këta të dhëna të shpalosura ditë më parë nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë kanë nxitur reagime të shumta tek shoqatat joqeveritare që merren me probleme në sektorin e shëndetësisë, shkruan ‘Alsat’.
Nga shoqata e mjekëve të përgjithshëm dhe familjar thonë se nuk është vetëm aspekti financiar ai i cili shtyn mjekët të ikin nga vendi, përcjell albinfo.ch.
Sipas tyre kaosi që ekziston në Shëndetësinë Publike, mungesa e respektit ndaj mantilit të bardhë dhe mos reagimi i institucioneve kompetente për mbrojtjen e mjekëve shtynë ata që të lëshojnë vendin. Nga kjo Shoqatë shprehen të zhgënjyer nga autoritetet Shëndetësore.
Kryetari i Shoqatës së Mjekëve Shqiptar, Nevzat Elezi shpreh nevojën për ekzistimin e një ligji të posaçëm, i cili do t’i mbronte interesat dhe nevojat e mjekëve.
Sipas tij ekzistimi këtij ligji dukshëm do të kishte përmirësuar statusin e mjekëve, me çka edhe do të kishte ndaluar migrimin e tyre.
Sipas analizave të Odës së Mjekëve, nëse kjo gjendje nuk gjen përmirësim, pas tre vitesh Maqedonia do të përballet me mungesë të theksuar të kuadrit mjekësor.