Pse opozitarizimi i sotëm, është alternativë e pashpresë dhe model i deformuar politik?

Bllokada politike post-zgjedhore e vitit 2014 e cila zgjati gjashtë muaj, përfundoj ashtu siç nuk pritej, VLAN u shpërbë në VAN.

Opinion

24/01/2016 16:39

Partitë e mbetura të opozitës, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma u ndjenë të zhgënjyera me LDK-në e cila braktisi betejën e VLAN-it, për shkak së aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lejoj të implementohet marrëveshja ashtu siç ishte planifikuar. Si konsekuencë, LDK-ja në këmbim të marrjes së pozitës së kryeministrit lidhi koalicion me PDK-në, me ç’rast ky koalicion rezultojë të këtë edhe shumicën dërmuese parlamentare. Në anën tjetër, partitë opozitare mbeten në miniorance të papërfillshme, si subjekte të veçanta ashtu edhe të bashkuara. Të gjendur në një situatë palakmueshëm si për nga numrat në Kuvend ashtu edhe për nga fuqia politike në terren, dukej së për opozitën beteja politike brenda institucioneve ishte e pamjaftueshme. Dhe sigurisht marrëveshja e demarkacionit dhe asociacionit ishin Jackpot politikë, kauza e shumëkërkuar për betejën e vërtetë ndaj pozitës.

A janë marrëveshjet problem politikë apo juridik?

Të dy marrëveshjet në substance janë çështje juridike, dhe si të tilla mund dhe duhet të zgjidhen me mjete legale. Marrëveshja për Asociacionin është vetëm marrëveshje parimore, e mirë e keqe nuk është relevante në këtë trajtim, por si e tillë nuk ka karakter legal dhe efekte juridike në jetën institucionale. Për me tepër në përfundimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese precizohet së marrëveshja nuk është plotësisht në harmoni me Kushtetutën, ashtu siç Gjykata Kushtetuese nuk kërkon qe marrëveshja të anulohet. Pra , në përfundimet e Kushtetueses precizohet që elaborimi i parimeve në një akt juridik dhe në statut të behën në frymën Kushtetuese me nenin 3. Rrjedhimisht, për tu zbatuar marrëveshja duhet të krijohet korniza juridike, siç është statuti si dokument legal që rregullon funksionalitetin e asociacionit, dhe si i tillë duhet të kaloj vetëm nëse paraprakisht merr pajtueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.

Duket që opozita i ka filluar hapat e veprimit politikë mbrapsht. Sepse jo marrëveshja, por statuti i marrëveshjes është thembra e Akilit, është korniza juridike përmes së cilës pritet të konstituohet Asociacioni. Nëse qëllimi i vërtet i opozitës është që të mbrohet Republika, atëherë pjesëmarrja në hartimin e statutit do të ishte kontribut patriot në mbrojte të republikës, dhe jo kontestimi i marrëveshjes në rrugë.

Sa i përket marrëveshjes së demarkacionit, prapë është çështje me karakter faktik dhe juridik. Le t’i kthehemi Shqipërisë si rast që ka kaluar nëpër të njëjtën situatë. Qeveria e Shqipërisë në vitin 2009 kishte nënshkruar marrëveshje për caktimin e kufirit detar me Greqinë. Por, opozita e atjeshme nuk e kishte kundërshtuar marrëveshjen përmes rrugës, sepse çështja ishte kontest legal dhe gjithçka mund të përmbysej përmes mekanizmave ligjor.  Ishte  Gjykata Kushtetuese që me 26 Janar 2010 e shpalli marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, thjesht e shfuqizoj. Në rastin tonë, Kosova dhe Mali i zi kanë nënshkruar marrëveshje parimore, ngase për të prodhuar efekt juridik kjo marrëveshje duhet të ratifikohen në Kuvendet.  Megjithatë, edhe si marrëveshje e ratifikuar prapë mund të jenë objekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, çka do të thotë së marrëveshja mund të shfuqizohet nëse Gjykatat Kushtetuese vërteton se si e tillë cenon integritetin territorial të Kosovës.

Andaj, mbasi i kemi mekanizmat shtetëror të themeluar për të zgjidhur dhe trajtuar çështje të tilla, a duhet opozita që përmes protestave dhe bindjes politike t’i adresojë problemet e përcaktimit të kufjeve? Jo, sidomos si shtete që pretendojmë të integrohemi në BE, duhet domosdoshmëritë ta respektojmë parimin e fqinjësisë së mirë, dhe sigurisht kjo duhet të jetë reciproke.

Në anën tjetër, askush nuk mund ta kritikoj opozitën për rolin e saj aktiv, sidomos në sensibilizimin e opinionit publik sa i përket rëndësisë së çështjeve të demarkacionit dhe asociacionit, dhe për këtë meriton mirënjohje qytetare. Natyrisht së opozita pret dhe ka plotësisht të drejt që gabimet e qeverise t’i kapitalizoj dhe kthej ne kredi politike. Por nuk është as guxim, as kurajo dhe e as nam politikë, nëse për këto probleme hedhet gazë lotsjellës në Kuvend dhe protestohet me dhunë. Madje, me sjellje të tilla opozita po dëshmon së po i ngutet për pushtet, dhe jo për shtet. Sepse, nëse opozita ka plan mbrojtjen e shtetit, atëherë do të duhej të insistonte që sa me shpejt të themelohej komisioni rishikues me ekspert ndërkombëtare, si mundësi që të korrektohet/garantohet vija kufitare, ashtu siç është përcaktuar me Pakon e Atihsairt, bazuar në Kushtetutën e vitit 1974-të.

Vetëm atëherë, opozita do të kishte të drejt që këtë fitore legale, nëse do të kishte një të tillë, ta shndërronte në ambicie dhe kauzë politike përmes së cilës do të kërkonte ndëshkimin qytetarë të Qeverisë, natyrisht, jo përmes rrugës dhe gazit lotsjellës, por përmes votës qytetarë.

A do të ndihmonin zgjedhjet e jashtëzakonshme në tejkalimin e krizës?

Opozita ka gjithmonë drejt të kërkoj zgjedhje, por tash për tash zgjedhjet nuk janë rrugëdalje për tri arsye.

E para, sondazhet e fundit nuk japin ndonjë indikacione që opozita me kauzat aktuale ka korrur ndonjë sukses në terren. Madje, edhe po të dal bashkuar në zgjedhje, rezultatet e sondazheve të fundit nuk japin shpresa për fitore të opozitës. Pra konstelacioni i forcave politike do të mbetet pak a shumë i njëjtë, siç është aktualisht.

E dyta, hajde po supozojmë që opozita i fiton zgjedhjet, prapë në koalicionin e ardhshme duhet t’i përfshijë LDK-në ose PDK-në, sepse përndryshe nuk do t’i kenë numrat. Fatkeqësisht, do të ju duhet të bashkë-qeverisin me ata që tash për tash po i kualifikojnë si “tradhtar”. Pas-lufta ka dëshmuar së “patriot” dhe “tradhtar” janë bërë bashke për pushtet, dhe njëjtë si herët e kaluara, çështja e demarkacionit dhe asociacionit do të tretet në shuarjen e etjes për pushtet.

E treta, marrëveshjet janë obligime ndërkombëtare për shtetin Kosovës, dhe si të tilla janë obligime si për pozitën, ashtu edhe për opozitën. Rrjedhimisht, e vetmja mënyrë për t’i ndryshuar ose zhvlerësuar marrëveshjet aktuale janë mekanizmat shtetëror, Parlamenti ose Gjykata Kushtetuese dhe assesi vullneti ose bindja politike e pozitës vs. opozitës. Pra, Parlamenti mund refuzoj një marrëveshje si vullnet politikë shtetëror ose  Gjykata Kushtetuese si organ kompetentet që vërteton pajtueshmërinë ose kundërshtinë me kushtetutën. Vetëm atëherë mund të flasim për zhvlerësim. Fatkeqësisht, opozita me ambicien e saj radikale është duke kontribuar në deformimin e mëtejmë të sistemit të brendshëm politikë, si dhe diskreditimin e jashtëm të aftësisë shtetërore të Kosovës për te negociuar, nënshkruar dhe zbatuar marrëveshje ndërkombëtare. Me ose pavetëdije, opozita nuk është duke e atakuar qeverinë, por shtetin e Kosovës.

A po dëmtohet shteti për pushtet?

Meqë dy marrëveshjet janë konteste legale, është intriguese dhe fundamentalisht e pakuptueshme pse opozita në mbrojtje të republikës po preferon bllokimin e kuvendit në vend të dialogut, dhe protestën  e shoqëruar me dhunë në vend të mjeteve juridike! Me fjalë të tjera, duke i kundërshtuar këto marrëveshje me hapa kaq agresiv dhe radikal, a është duke ndihmuar opozita në zgjidhjen e problemit apo qëllimi i saj është ta thelloj më tej krizën institucionale!A po tenton opozita që përmes destabilitetit të vijë në pushtet? Vështirë të thuhet, por përveç mbrojtjes së shtetit, duket së qëllim primar i opozitës është ardhja në pushtet. Natyrisht që është ambicie krejt legjitime, nëse opozita nuk do ta kishte dhunën si frymë dhe element primar të veprimit politikë.

Fatkeqësisht, krejt këto ngjarje po ndodhin në kohen e brishtësisë funksionale dhe problemeve të shumta që ka ky shtet, duke filluar me  sundimin e ligjit, korrupsionin, raportet e vështira me minoritetin serb, si dhe vështirësitë e panumërta në arenën ndërkombëtare. Shtoja kësaj mosbesim e shprehur nga opozita ndaj çdo institucioni shtetëror, duke filluar që nga parlamenti, qeveria, policia, gjykata kushtetuese e madje deri tek partneret ndërkombëtare, që janë garantuesit e shtetësisë së Kosovës. Veçanërisht, me refuzimin dhe injorimin e mesazhit të Sekretarit të ShBA-ve për dialog institucional,  opozita po rrezikon kredibilitetin e Kosovës si partner serioz në relacionet ndërkombëtare. Për me tepër, me sjelljen e saj radikale, opozita me ose pavetëdije po kontribuon në zhvlerësimin e kapacitetit juridik dhe politikë të shtetit të Kosovës.

Ky vend, ka pasur zgjedhje demokratike për aq sa mund të quhen të tilla, të pranuara nga i gjithë spektri politikë, të cilat kanë prodhuar për aq sa kanë prodhuar institucione legjitime. Tendenca për të vepruar jashtë institucioneve legjitime, do të jetë prodhoj papërgjegjshmëri, kaos, dhe dështim të shtetit të Kosovës. Dhe, mburrja e opozitës së me kauzën e tyre po e mbron shtetin, po tingëllon jashtëzakonisht frymëzuese, por kur i shikon veprimet dhe metodat politike që po përdorin, po duken pafundësisht qesharak dhe naivë. Sidomos, AAK dhe Nisma që si parti dhe personalitete, kanë marr pjese në gjithçka të “mirë” dhe të “keqe” që i ka ndodh këtij vend deri me sot.

Përfundimisht, interesin e këtij vendi në çështje të tilla, nuk mund dhe nuk duhet ta mbroj as opozita as pozita, por Gjykata Kushtetuese, si arbitër i paanshëm që duhet të siguroj dhe garantoj kushtetutshmërinë e akteve juridike, jashtë bindjeve politike. Sepse, nëse partitë i japin drejte vetes në vetëgjyqësi, kush e garanton pozitën e nesërme që pozita e sotme, si opozitë e nesërme, nuk do t’i përdor metoda e njëjta politike për ta rrezuar Qeverinë e ardhshme nga pushteti!?

Prandaj, duke marr për bazë hipotezën politike së dhuna sjell dhunë, opozita e sotme, nëse ka qëllim ta mbroj shtetin, duhet të reflektoj dhe të kërkoj nga Gjykata Kushtetuese për secilën çështje pajtueshmërinë e plot kushtetuese. Përndryshe, mburrja e opozitës së me një opozitarizem me tipare radikale në frymë dhe në veprim në terren po e mbron shtetin, duke refuzuar dialogun institucional, zhvlerësuar mjetet juridike dhe injoruar këshillat e sponzorizuesve të pavarësisë së Kosovës, është jo vetëm alternative e pashpresë, por edhe model i keq dhe i deformuar i veprimit politikë, dhe jo vetëm.

Autori bartë gradën shkencore MSc, dhe këtë titull ka fituar në Universitetin e Shkencave Jetësore të Estonisë. Është ekspert i çështjeve të integrimit evropian.