Pse Kryeministri Kurti s’po e shkarkon Goran Rakiqin?

Lajme

17/01/2022 18:48

Krahasimi i aksionit të Policisë së Kosovës në veri me Natën e Kristaltë, natën e cila shënon një nga tragjeditë më të mëdha të epokës moderne që njeh bota[vrasjen e hebrenjve], nga ministri i Qeverisë Kurti, Goran Rakiq, nuk i bëri përshtypje shefit të Qeverisë, Albin Kurtit. Këtë të fundit nuk po e impresionon as bojkoti institucional e as deklaratat e shefit të përfaqësuesve serbë në Kosovë.

Kryeministri i vendit që prej formimit të Qeverisë Kurti ende nuk është dalë të kundërshtojë institucionalisht e as politikisht deklaratat e ministrit Rakiq. Ndonëse, ky i fundit, nuk është rezervuar në kërcënime e në krahasimet më të vrazhda ndaj institucioneve të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Rakiq, së fundmi, pas vendimit të përbashkët pozitë-opozitë për kundërshtimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës, kërcënoi me reciprocitet, foljen veprore më të zëshme në gjuhën e Kurtit prej para ardhjes në Qeveri.

Këto deklarata Rakiqi i dha në një protestë që po mbahej në Mitrovicën e Veriut, ku po kundërshtoheshin vendimet e institucioneve të cilat ai vetë i përfaqëson.

Megjithatë bojkoti institucional nuk fillon e as nuk mbaron me Rakiqin. Partia të cilën ai përfaqëson, që zë 10 ulëse në Kuvend, përveç që bojkoton seancat e Qeverisë Kurti, nuk merr pjesë as në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit.

Për këtë u pati ankuar kryekuvendari Glauk Konjufca, duke e parë si një formë shantazhi.

“Ma merr mendja që Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne. Nuk pranojmë kurrfarë shantazhi, aq më keq që Lista Serbe është duke e bërë shantazhin në mënyrë publike, pa e fshehur, bile me një strategji të shfaqjes së këtij bojkoti”, bëri me dije Konjufca.

Deklaratat e Rakiqit ia dhanë një shije të hidhur ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, por jo edhe shefit të ekzekutivit. Rohde krahasimin e aksionit të Policisë në veri për çështjen e reciprocitetit të targave nga ana e Rakiqit e cilësoi si “kontribut drejt rrëfimeve për shtrembërimin dhe mohimin e Holokaustit”.

“Ndaluni! Krahasimi i aksionit të sotëm të policisë me ‘natën e kristaltë’ është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt rrëfimeve të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit. #MbroniFaktet”, reagonte Rohde.

Mirëpo, Kurti kur pyetej për shkarkimin e tij, jepte gjëëgjëza që çonin në qorrsokak.

“Çështja nuk është Rakiqi, shkarkimi i tij do ta bënte çështje”, deklaronte ai.

Për shkarkimin e Rakiqit pati zëra edhe përbrenda VV-së. Hajrulla Çeku, tashmë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në pozitën e deputetit kërkonte shkarkimin e ministrit serb, nën pretekstin e thyrjes së heshtjes zgjedhore.

“Para pak minutash, zëvendës kryeministri Goran Rakiq ka thyer rregullat e heshtjes zgjedhore, duke bërë thirrje të hapur që të votohet subjekti të cilit i përket. Kjo është shkelje e Ligjit për zgjedhjet dhe nga ky moment as vota nuk është e lirë dhe as procesi nuk mund të jetë demokratik në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij duhen inicuar masat e domosdoshme, duke filluar nga shkarkimi i tij”, nënvizonte në reagimin e tij Çeku gjatë kohës së Qeverisë Hoti.

Përkundër të gjitha këtyre, Rakiq vazhdon ta ushtrojë pozitën e ministrit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës. /Lajmi.net/