PSD-ja ia përgatit letër dorëheqjen ministres Nagavci

Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aktivitet brenda objektit të Ministrisë së Arsimit, nga ku kanë kërkuar dorëheqjen e ministres, Arbërie Nagavci.

Lajme

12/04/2022 11:41

Nënkryetari i PSD-së, Qëndron Kastrati, tha se ia kanë përgatitur letër-dorëheqjen ministres Nagavci.

“Sot kemi dashtë me ardhë te zonja Nagavci dhe ne e kemi përgatitur letër- dorëheqjen, ia kemi bërë gati, e kemi kryer edhe këtë punë.Siç e dini me datën 8 prill, bashkë me përvjetorin e ditës së kushtetutës së Kosovës, gjykata kushtetuese ka konstatuar se zonja Nagavci i ka shkelë tri dokumente kryesore për demokracinë në Kosovë, e para e ka shkelë kushtetutën, e dyta e ka shkelë kartën evropiane për qeverisje lokale dhe e treta e ka shkelë ligjin për vetë-qeverisje lokale që është një prej ligjeve më vitale në Kosovës”, tha Kastrati.

Tutje ai shtoi se me këtë çfarë ka bërë Nagavci, ka arritur të shtrembërojë vullnetin e qytetarëve.

“Me këtë çka ka bërë zonja Nagavci e para ka arrit me shtrembëruar vullnetin e qytetarëve në një komunë të Kosovës, sepse kjo duke i ka kaluar kompetencat ka ndërhyrë drejtpërdrejt dhe i ka cenu përgjegjësit e komunës.E dyta në Kosovës është ndërtuar një precedentë, kur shkelet kushtetuta të gjithë kanë reflektuar, ka raste edhe moralisht dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë, zonja Nagavci duhet me u shkarku ose me dhënë dorëheqje, sepse duke e keqpërdorë pozitën e vet e ka dëmtuar dikë tjetër”./Lajmi.net/