Provimi ka kaluar mirë

Ushtruesi i Detyrës së Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Anton Berishaj, ka thënë sot se provimi pranues në të gjitha njësitë akademike ku është organizuar sot ka kaluar mirë dhe pa probleme.

Lajme

21/07/2014 18:12

Në një konferencë për media, Berishaj ka thënë se nuk garanton se do të jetë gjithçka 100 për qind në rregull, ngase, sipas tij, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, por ka shtuar se çdo parregullsi ose keqpërdorim që do të identifikohet, kryesit e tij do të ndëshkohen.

Rektori tha se Fakulteti i Mjekësisë dhe ai Ekonomik do ta mbajnë provimin nesër, për të cilat njësi akademike ka thënë se do të ketë më shumë mbikëqyrje nga ana e menaxhmentit për shkak të parregullsive që kanë ndodhur në të kaluarën.

“Nesër fillon provimi në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Fakultetin Ekonomik, ku janë bërë të gjitha parapërgatitjet, asgjë nuk kemi lënë që të ndodhë rastësisht, ne jemi të hapur që tu përgjigjemi pyetjeve tuaja dhe do të kemi të hapur edhe pas ditës së nesërme dhe po ju zotohemi se edhe nëse kemi mundësi të fshehim diçka që nuk ka shkuar në rregull, ne nuk do ta fshehim sepse duke fshehur ne nuk i kontribuojmë mirëvajtjes të punës. Më mirë është me i thënë gjërat, i lokalizojmë, i zgjidhim dhe i tejkalojmë. Kështu që edhe me dashtë me fsheh diçka ne, nuk i fshehin kandidatët”, ka thënë Berishaj.

Rektori ka thënë se tashmë janë formuar edhe komisionet për korrigjimin e testeve, rezultatet e të cilave pritet të publikohen më 25 korrik, raporton Kosovapress.