Protestojnë para Qeverisë
Punëtorët e Ballkanit të Suharekës kërkojnë që t’ju paguhet 20 përqindëshi dhe 2 rrogat e mbetura. Greva e tyre ka filluar që nga muaji shtator. Nëse nuk kanë ndonjë përgjigje konkrete nga qeveritarët, thonë se nuk do të ndalen.

Lajme
Punëtorët e Ballkanit të Suharekës tash e 4 muaj janë në grevë. Fabrika e tyre ishte privatizuar me spinoff special tetë vjet më parë, ndërsa 1400 punëtorët e dëbuar nga puna ende nuk kanë marrë 20 përqindëshin – edhe pse një vendim të tillë e kishte sjellë AKP.
Punëtorët pohojnë se greva e tyre është 24 orë dhe do të qëndrojnë nëpër tendat e tyre derisa të kenë përgjigje për kërkesat e tyre.
E sot, këta punëtorë kanë dalë para ndërtesës së Qeverisë, duke pritur që të dalë dikush e t’u japë përgjigje kërkesave të tyre.
Isufi Avdylblaci, një ish-punëtor i fabrikës së Ballkanit të Suharekës, tha se kërkesat e tyre janë dhënia e 20 përqindëshit, që i bie të ju takojë nga 5 mijë e 300 euro dhe pagesën për dy rroga të mbetura.
Ai tha se privatizimi i Ballkanit ka qenë i gabuar dhe se 1400 punëtorë tashmë kanë mbetur të papunë.
“Kemi dalë për të drejtat tona. Që 8 vjet është privatizuar firma, ashtu siç është privatizuar, mozamakeq, në mënyrën më të egër e më të keqe të mundshme”.
“Do të thotë 1 milion e 400 mijë euro është shitur, 5 reparte, 17 hektar tokë. Neve tash 8 vjet nuk na e kanë dhënë 20 përqindëshin, as rrogat e mbetura që i kemi pasur, as stazhin e punës, 10 vjeçarin. Asgjë”.
“Qe 4 muaj jemi në grevë, prej muajit shtator të vitit të kaluar. Deri më sot 24 orë e kemi grevën, në shatora jemi duke bërë grevë, a qeveritarëve nuk është duke i interesuar”.
“As parlamentarët nuk po na vijnë të na vizitojnë. Kanë ardhur sa ishin zgjedhjet, të gjithë deputetët, secili kryetar i partive, vetëm me përjashtim të Hashim Thaçit, se ai asnjë gjë nuk na ka thënë, edhe pse andej i ka ra, e nuk është kthye të na thotë diçka”.
“Greva do të vazhdohet ndoshta edhe një vit, nuk do të largohemi nga shatorët pa na i dhënë kontributet tona, kurrsesi”.
Edhe ish-punëtorja e Ballkanit, Hedije Bytyqi, ka po të njëjtat kërkesa. Ajo shpreh indinjatën e saj për mënyrën e privatizimit të kësaj fabrike. Thotë se Ballkani nuk është privatizuar, por është falur.
Për të, është më mirë që Ballkani i Suharekës t’i kthehet në pronësi shtetit.
“Ballkani është shitur, por nuk është shitur mirë. E 20 përqindëshi nuk është shpërndarë për punëtorë. 5300 euro na i kanë borxh. Dy rrogat e mbetura nuk na i kanë dhënë”.
“Privatizimi i Ballkanit ka qenë i bërë në mënyrë të keqe. Ballkani është falë”.
“Ballkani është shitur me spinoff special, po e keqja e madhe është që po shitet pjesë-pjesë”.
“Kërkesa jonë është që të mos shitet Ballkani dhe t’i kthehet prapë shtetit, sepse privatizimi është bërë keq”.
“Punëtorët kanë mbetur në rrugë, i kanë qitë prej punës. Nuk kanë para, të gjithë të moshuar janë. Vetëm ka mbet që të na japin pensione”.