Protestojnë edhe mjekët, kërkojë të zbatohen premtimet elektorale

Protestat nga punëtorët e institucioneve publike me kërkesë të plotësimit të premtimeve të dhëna gjatë fushatës parazgjedhore nuk kanë të ndalur.

Lajme

04/03/2015 12:47

Të mërkurën edhe mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë mbajtur  protestën njëorëshe ku po kërkojnë zbatimin e kontratës kolektive, rritjen e pagave prej 25 për qind sipas vendimit të Qeverisë, si dhe lirimin e hapësirave të QKUK-së nga institucionet shëndetësore private.

Ata janë mbledhur para Klinikës Emergjente dhe në duar po mbajnë pankarta ku thuhet ‘Stop sulmeve ndaj mantel bardhëve’, ‘Rrogat – premtim elektoral 25%’, ‘Stop spitaleve private në hapësirën e spitaleve publike’, ‘Implementimi i kontratës sektoriale në shëndetësi’, etj.

Atyre iu kanë bashkuar edhe disa aktivistë të Vetëvendosjes.

Për rritje të pagave dhe zbatim të kontratës kolektive kanë protestuar të martën edhe punëtorët e gjykatave dhe prokurorive.