Protestë në Prizren kundër degradimit të arsimit (Foto)

Qindra mësimdhënës nga Prizreni kanë nisur protestat kundër degradimit të arsimit dhe dinjitetit të mësimdhënësit në këtë komunë.

Lajme

07/03/2015 14:17

Ata kanë filluar protestën në qendër të qytetit, në sheshin Shadërvani, për të vazhduar marshimin deri te Shtëpia e Bardhë, aty ku edhe po qëndrojnë aktualisht.

“Nexhat Hajni”, “Poshtë hajnat”, “Dorëheqje”, janë vetëm disa nga mbishkrimet që po mbajnë në duar qindra protestues që janë tubuar para Shadërvanit në qytetin antik.

Protesta po ndodh me 7 marsin, ditën e mësuesit. Ajo ka për kërkesë kryesore ndaljen e degradimit të arsimit në Prizren.

“Skandalet në arsimin e Prizrenit me shitjen e vendeve të punës dhe me punësimin e personave me shkollë të mesme për edukimin e fëmijëve tanë, kanë shtuar pakënaqësinë e qytetarëve karshi pushteti komunal. Duke besuar në vlerat dhe dinjitetin njerëzorë kemi vendosur që ta kundërshtojmë fuqishëm shkatërrimin dhe degradimin e sistemit arsimor”, thuhet në thirrjen për protestë.

Protesta është organizuar nga shoqata e veteranëve të arsimit, gazetari Rami Berisha dhe “Qytetarët Aktivë”, e mbështetur edhe nga Organizata të Shoqërisë Civile në Prizren dhe 4 partitë opozitare. Ajo fillon në ora 13:00 nga sheshi Shadërvan.

Protestat në Prizren Protestat në Prizren1 Protestat në Prizren2 Protestat në Prizren3 Protestat në Prizren4 Protestat në Prizren6