Protestë dhe mllef kundër EULEX’it
Shoqatat e dala nga lufta e UÇK’së protestuan në Mitrovicë kundër arrestimit të dy bashkëluftëtarëve të tyre, Ismet Haxha dhe Nexhat Çubreli. Folësit kritikuan punën e EULEX’it në Kosovë.

Lajme
Drejtues të shoqatave të dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare kanë akuzuar EULEX’in se po bën drejtësi selektive duke i akuzuar bartësit e luftës së fundit në Kosovë.
Ata kanë mbajtur të hënën një protestë në Mitrovicë kundër arrestimit të bashkëluftëtarëve të Zonës Operative të Shalës të ish UÇK’së, Ismet Haxha dhe Nexhat Çubreli, të cilët u arrestuan javën e kaluar nën dyshimet se kanë kryer krime lufte, raporton Mitrovicatoppress.
Qindra protestues kanë bartur parulla “Liri për Çlirimtarët”, “Poshtë EULEX”, “Jemi të pafajshëm”, “EULEX, eja dhe na arresto edhe ne.”
Kryetari i shoqatave të dala nga lufta, Muharrem Xhemajli i ka bërë thirrje që EULEX’it t’i ndërpritet mandati në Kosovë.
“Jemi këtu për të protestuar kundër burgosjes së çlirimtarëve dhe tendencës së njollosjes së luftës sonë. EULEX-i në vend të luftojë krimin e organizuar, kontrabandën dhe korrupcionin merret me ata që na sollën lirinë”.
“Pse EULEX-i nuk ka zbardh rastin e vrasjes së 10 shqiptarëve dhe dëbimin e 12 mijë qytetarëve tjerë nga veriu në vitin 2002 apo pse nuk zbardhi rastin e vrasjes së tre fëmijëve në vitin 2004, ndërkohë që bazuar në deklarata të dyshimta ndalon luftëtarët e lirisë”.
Ndërsa përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta për rajonin e Mitrovicës, Rafet Ibishi u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të ndikojnë te EULEX për t’i ndalur arrestimet e ish pjesëtarëve të UÇK’së.
“Rasti i fundit i arrestimit të bashkluftëtarëve tonë nga Zona Operative e Shalës, është vetëm edhe një rast tjetër ku qartë vërehet tendenca politike e EULEX-it kundër luftës çlirimtare”.
“Ky arrestim ndodh disa ditë pasi shefi i këtij misioni, e ngatërroi detyrën e tij, duke dhënë deklarata nga të cilat nuk dihej se a është shef i misionit, gjykatës apo prokuror. Kjo tregon degradimin e skajshëm të këtij misioni, njëanshmërinë dhe joprofesionalizmin e tyre”.
“U bëjmë thirrje institucioneve tona dhe strukturave ndërkombëtare që po veprojnë e punojnë në vendin tonë që të ndikojnë në EULEX-in dhe ndalimin e ndjekjes së çlirimtarëve duke u bazuar në deklarata të dyshimta”.