Protestat e opozitës, luftë për pushtet

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi ka vlerësuar se opozita po bënë protesta për të ardhur në pushtet. Kështu ai e ka vlerësuar edhe protestën e mbajtur të shtunën, ku sipas tij përmes saj nuk ka qenë qëllimi të ndërrohet sistemi, por ka qenë “lufta për karrige”.

Lajme

27/01/2015 07:50

“Kjo protestë është sa për të ardhur në pushtet. Këta kanë menduar se me këtë protestë turpërohet qeveria, japin dorëheqje dhe i jepet pushteti opozitës. Kështu kanë menduar këta që protestojnë”.

“Tani po vërtetohet se këto protesta janë luftë për pushtet. Pra nuk është luftë për ta rregulluar sistemin dhe për ta shpëtuar Kosovën prej gabimeve dhe prej lëshimeve që janë bërë deri më tani. Po bëhet luftë për të ardhur në pushtet dhe për të vazhduar pastaj njësoj sikur këta që janë aktualisht. Kjo është luftë për karrige, luftë për pushtet. Asgjë tjetër”, ka thënë Demaçi në intervistën dhënë për Epoka e Re.

Sipas Demaçit, shkarkimi i ministrit Aleksandar Jabllanoviq nuk është problem sepse atë mund ta bëjë kryeministrit Isa Mustafa, por se sipas tij, kryeministri nuk do që përmes shkarkimit të Jabllanoviqit të shkarkojë “veten”.

“Shkarkimi i Jabllanoviqit nuk është problem. Këtë gjë mund ta bëjë Isa Mustafa, sepse ai e ka formuar qeverinë. Por, Isa Mustafa nuk dëshiron ta shkarkojë veten. Ata që e kanë vendosur Isa Mustafën në krye të qeverisë nuk janë për shkarkimin e Jabllanoviqit. Ata nuk e duan këtë shkarkim, sepse ata kanë kontribuar për krijimin e sistemit aktual politik. Problemi i Kosovës është si ta ndërrojë këtë sistem, i cili vazhdimisht po na mban të provokuar dhe s’po mund të shpëtojmë prej përzierjeve permanente të Serbisë në punët tona të brendshme”, ka thënë ai.