Protesta në Barcelonë pas dënimit të udhëheqësve katalonjas

Policia spanjolle u përlesh me protestuesit të cilët u mblodhën në aeroportin e Barcelonës, pas shpalljes së dënimit nga Gjykata Supreme, për 12 udhëheqës të lëvizjes për pavarësi të Katalonjës.

Bota

14/10/2019 20:14

Policia përdori shkopinj kundër protestuesve, të cilët ishin mbledhur afër hyrjes së metrosë, brenda terminalit kryesor të aeroportit të Barcelonës.

Autoritetet urdhëruan pezullimin e trafikut të metrosë në aeroport.

Administrata e aeroportit tha se të paktën 20 fluturime u anuluan për shkak të protestave.

Më parë, Gjykata Supreme dënoi nëntë udhëheqësit e Katalonjës për rolin e tyre në përpjekjet për pavarësi të rajonit në vitin 2017.

Tre të akuzuar tjerë u shpallën fajtorë dhe u gjobitën, por nuk do të vuajnë dënimet me burg.

Të 12 politikanët dhe aktivistët i kishin mohuar të gjitha akuzat.

Në përgjigje të vendimit, mijëra mbështetës të pavarësisë së Katalonjës marshuan në Barcelonë, përpara se të bllokonin disa rrugë dhe qasjen në stacionet e metrosë.

Në Katalonjë, më 1 tetor të vitit 2017, është mbajtur një referendum, në të cilin shumica e atyre që kanë marrë pjesë, kanë votuar për pavarësi nga Spanja.

Megjithatë, në referendum pjesëmarrja ka qenë e ulët dhe ai është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës.

Qeveria qendrore në Madrid ka shtrirë qeverisjen në rajon dhe disa udhëheqës katalanas kanë ikur nga vendi ose janë ndaluar. /rel