Prostitucion në shkretëtirë

Mijëra emigrantë afrikanë kanë ngecur në qytetin nigerian Agadez - porta për të hyrë në Sahara - përderisa luftojnë të shndërrojnë ëndrrën e tyre në realitet, largimin prej aty për në Evropë. Derisa të largohen prej aty, shumë vajza të reja shesin trupin e tyre, ndërsa djemtë që nuk kanë para, përfundojnë në burgje.

Bota

06/05/2014 18:53

Kjo nuk është ashtu siç e priste Vivienne. “Mendova se do të gjeja një punë këtu”, thotë ajo.

“Erdha këtu për shkak të situatës që gjendesha në Nigeri. Sapo e kam mbaruar shkollën e mesme, por babai im nuk kishte para që unë të vazhdoja studimet. Unë dëshiroj që të shkoj në veri, të bëjë para dhe ta bëj familjen time krenare për mua”.

Vivienne, e cila nuk pranoi që të tregonte mbiemrin e saj, thotë se është 23 vjeçare.  Duket më e re, por është e pamundur që të verifikohet mosha e saj.

Muajin e kaluar ajo hipi në autobus dhe udhëtoi rreth 240 kilometra prej Kano, i cili ndodhet në veri të Niger, deri në Zinder, i cili është qyteti kryesor i Nigerit, dhe prej aty erdhi me autobus në Agadez, qytet i cili është rreth 370 kilometra larg.

Ajo erdhi në Agadez me ëndrra të mëdha, për të shkuar në Evropë. Por, në vend të kësaj, ajo tashmë po shet trupin e saj për para. “Kam kërkuar punë, por këtu nuk ka”, shfajësohet ajo, teksa rrotullon nëpër duar telefonin e saj.

Vivienne jeton në njërën prej lagjeve më të varfra të Agadez-it. Ajo ndanë dy dhoma të pista me 10 vajza të reja. Njëra prej dhomave nuk ka as derë. As dhoma tjetër nuk ka derë, por të paktën ajo ka një perde.

Vendi është i mbushur me prezervativ të hapur, të përdorur nga dikush dhe të hedhur gjithandej nëpër tokë. “Mendova se do të mund të pastroja shtëpinë e dikujt për para, por këtu nuk ka punë”, thotë Vivienne.

“Pastaj takova këto shoqet nigeriane dhe ato më treguan se vetëm duke shitur trupin tënd mund të mbijetosh këtu. Edhe unë fillova të bëj një gjë të tillë. Nuk jam e lumtur që bëj këtë punë, por është e vetmja mënyrë që të mbijetoj”.

Pjesa e vjetër e qytetit është me rrugë të ngushta në formë labirinti dhe me rrugica të pista, të mbushura me pluhur. Të gjitha shtëpitë janë të ndërtuara me tulla prej qireçi, në formë katrore ose drejtkëndëshe, të cilat duket sikur vijnë nga toka.

Agadez shërben si treg për komunitetet që jetojnë afër, dhe është e rrethuar vetëm me shkretëtirë. Por ky është një vend i fshehtësisë, por për të shkuar në Sahara, dhe shtëpi e të gjitha llojeve të kontrabandistëve.

Për emigrantët afrikanë, ëndrra e tyre për të pasur një jetë më të mirë fillon në Agadez. Paraja është ajo çfarë shpresojnë të gjejnë në Evropë. Tutje, shumë afër tregut kryesor, jashtë një banke mund të gjesh një grup emigrantësh të Afrikës perëndimore.

Takimi me kontrabandistë

Janë më shumë se 30 kontrabandistë. Asnjëri prej tyre nuk dëshiron të tregojë si quhet. “Ne jemi këtu për të marrë para dhe për të shpëtuar njerëz”, thotë njëri nga kontrabandistët.

Një emigrant, i cili ka ardhur nga Senegali qe dy javë, akoma nuk e di se kur do të mund të vazhdojë udhëtimin e tij drejt veriut. “Së pari duhet të siguroj paratë. Ndoshta do të më duhet të punoj për një, tre ose gjashtë muaj dhe pastaj të mund të vazhdoj rrugën time”.

Në anën tjetër të rrugës, disa prej emigrantëve që kishin marrë para nga banka pak më parë, kishin blerë disa kanaçe të mëdha, të cilat do t’i mbushin me ujë, në mënyrë që të mund t’i mbijetojnë udhëtimit nëpër shkretëtirë.

Ata që do t’i shoqërojnë këta emigrantë dhe do t’i dërgojnë në Libi, janë trafikantë nga rajoni, nga Libia ose Nigeri. Janë një grup etnik i quajtur Toubous, i cili u njoh si etnitet në kohën e ish diktatorit libian, Muamer Gadafi.

Megjithatë, si popullsi sahariane afrikane, Toubous thonë se janë të diskriminuar nga shumica e arabëve në Libi, vendi ku mbizotëron paligjshmëria.

Unë u takova me një grup kontrabandistësh, të cilët pranuan që të flasin në kushte anonimiteti. Dhe sapo të bissdosh me ta, e kupton se në biznesin e migracionit, njerëzit janë thjesht një mall. Njëri, i cili flet me mua në arabisht, kontrabandon deri në 300 njerëz në muaj.

Shkretëtira me gurë

“Ne u marrim atyre 500 dollarë, 295 dollarë për udhëtimin deri në Libi, por sigurisht ne na duhen edhe disa para për të korruptuar policinë nëpër postblloqe, prandaj ua marrim atyre edhe 300 dollarë të tjerë”, thotë kontrabandisti.

“Ne mund tu japim emigrantëve para në formë kredie, nëse ju duhen, por kjo do të thotë se kur të kthehen sërish, detyrohen të na e paguajnë dyfishin e shumës”.

Emigrantët zakonisht transportohen me vetura“pick up”, ku në pjesën e pasme të saj mund të transportohen njëherësh 25 deri në 35 njerëz.

“Jemi të pajisur me GPS dhe me telefona satelitorë, kështu që është më lehtë nëse ngecim diku rrugës”.

Por këto pajisje nuk mund të ndalojnë incidentet serioze që mund të ndodhin. Njëri prej kontrabanduesve, i cili kishte syze të errëta, teksa pinte një cigare, tregon për një aksident fatal që kishte ndodhur vitin e kaluar.

“Njëra prej veturave ra nga një dunë prej rëre, gjashtë të vdekur. Në veturë ishin tre persona nga Gambia, dy nigerianë dhe një prej Kameruni”.

Duke e lënë qytetin Agadez, e sheh rrugën e cila të dërgon tek shkretëtira prej gurësh, prej nga fillon edhe rruga e gjatë përgjatë Saharasë.

Të burgosur

Jo të gjithë emigrantët do të nisen në këtë udhëtim, por kushdo që niset, dihet se nuk do të kthehet më.

Dielli flakërues është ndëshkuesi, dhe derisa je duke arritur në Libi, nuk ka afat.

Ndërkohë në Agadez, një grup tjetër i emigrantëve të Afrikës perëndimore është duke pritur në qendrën e transitit të Kryqit të Kuq, që të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.

Shumica e këtyre njerëzve janë nga Gambia, por ka edhe nga Guinea-Bissau dhe nga Guinea.

Dhjetëra senegalezë gjithashtu kanë ardhur nga Libia një javë më parë, por Organizata Ndërkombëtare e Migracionit, një agjenci jo-qeveritare, tashmë ka aranzhuar që ata të riatdhesohen.

Në sytë e tyre shihet dëshpërimi, teksa tregojnë histori brutale se si kanë qenë të rrëmbyer nga milicitë, që më pas i shitën tek policia dhe më pas i futën në burg për gjashtë muaj.

Ata janë të rrahur dhe të pangrënë, dhe sigurisht do të deportohen. Ata kanë dështuar në tentimin e tyre për të migruar për në Evropë.

“Pasi kemi shpenzuar gjithë këto para për të ardhur në Libi, kemi punuar këtu, ata t’i marrin të gjitha gjërat e tua personale, madje edhe rrobat e trupit. Ne kthehemi në shtëpi pa asgjë. Kjo është absolutisht e trishtueshme. Më shumë se vet fjala ‘trishtim’, thotë Lalo Jaiteh, një 44 vjeçar nga Gambia.

Udhëtimi i Jaiteh përmes shkretëtirës përfshin edhe qëndrimi pa ushqim dhe ujë për dy ditë.

“Disa qanin dhe frikësoheshin se nuk do t’i shihnin më prindërit e tyre. Njëri që ishte i shtrirë afër meje më tha: ‘vëlla im, ky është fundi im, më vjen keq që nuk mund të shoh nënën time sërish’. ‘Jo. Mos qaj. Zoti është shumë i mirë. Sigurisht që ne do të ia dalim’”, tregon Jaiteh.

Një djalosh tjetër, Ousmane, 26 vjeçar, ka vuajtur burg në dy burgje të ndryshme, përderisa ishte në Libi, nga tre muaj në secilin burg. Teksa mundohej që të kalonte Detin Mesdhe me një anije, motori i anijes u prish. Ata u endën nëpër ujë derisa rojet bregdetare italiane i shpëtuan ata dhe i kthyen sërish në Libi.

Jaiteh tha se ai vet nuk ju ka besuar këtyre ngjarjeve më parë, por tash i beson pasi që edhe atij i ndodhën. “Tash jam në shtëpi dhe ata që dëshirojnë të largohen nuk do të më besojnë mua për këto që po them, sepse dëshira për të ikur tek ata është e madhe”.

Rreziqet që përfshihen në këtë udhëtim të zymtë për të shkuar në veri nuk janë bindëse as për mijëra emigrantë afrikanë, të cilët janë të papunë, nuk kanë perspektivë në vendet e tyre, dhe do të mundohen për çdo vit të kalojnë transit nga Agadez.

Në mesin e këtyre personave është edhe Vivienne. Ajo thotë se tashmë nuk mund të kthehet në shtëpi, sepse familja e saj nuk do ta lejojë atë që të kthehet prapa në Agadez nëse e kuptojnë se çfarë pune ka bërë këtu.

“Dua të shkoj në Spanjë, sepse një shoku im më tha se atje është bukur. Dua të studioj dhe të bëhem infermiere. Kjo është ëndrra ime”. /BBC/