Prorusët sulmojnë aeroportin në Lugansk, ukrainasit Sllovianskin
Forcat paramilitare pro-ruse në Ukrainë sot kanë sulmuar me të gjitha mjetet aeroportin ndërkombëtar në Lugansk, kurse njëkohësisht forcat ukrainase kanë sulmuar qytetin Sllloviansk.
Bota
Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve AFP, sulmi ndaj aeroportit ndërkombëtar në Lugansk filloi mbrëmë pas inaugurimit të presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, dha ka vijuar sot në mëngjes i deklaroi agjencisë franceze të lajmeve një burim nga ushtria ukrainase. Ai tha se në anën e forcave ukrainase që e mbrojnë aeroportin nuk ka pasur asnjë viktimë.
“Është e qartë se rebelët pro-rusë po përpiqen të shkatërrojnë ndërtesën që kontrollon furnizimin e aeroportit me energji elektrike”, i tha agjencisë AFP me telefon një pjesëtar i forcave ukrainase që janë të ngarkuara për sigurinë e aeroportit.
Në të njëjtën kohë Ushtria e Ukrainës po granaton qendrën e qytetit Slloviansk, në rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës, deklaroi të dielën zëdhënësja e qytetit, Stela Horosheva.
“Qendra e qytetit është nën zjarr artilerie. Një nga granatat ka shpërthyer afër ndërtesës ku gjendet selia e qeverisë së qytetit”, tha ajo për agjencinë ruse të lajmeve Itar-Tass.
Tash për tash nuk ka të dhëna për viktima, por sasitë e ujit të pijshëm janë të limituara, ndërsa një pjesë e madhe e qytetit është pa energji elektrike.