Propozohet ulja e taksave për banesa

Ulja e taksave ka qenë një ndër kërkesat që opozita ka kërkuar herë pas herë nga mazhoranca aktuale.

Lajme

02/11/2015 09:06

Ditën e djeshme kryebashkiakët dhe këshilltarët bashkiakë të Partisë Demokratike, në disa nga bashkitë e vendit, dorëzuan pranë këshillave bashkiake kërkesën për të ulur me 30 për qind taksat mbi pronën.

Të djathtët, kërkojnë uljen në nivelin 30 për qind të taksës së pronës, që sipas tyre, do të ndikojë direkt në buxhetin e bizneseve dhe familjeve të tyre.

Sipas PD-së, taksa mbi pronën u rrit deri katërfish në dy vitet e fundit, duke rënduar barrën e taksave që paguajnë veçanërisht bizneset e vogla, që  ndodhen në kushtet e mbijetesës.

Propozimin për ulje të kësaj takse, kreu i PD-së Lulzim Basha e bëri disa ditë më parë, gjatë një takimi me shitës në tregun industrial në Durrës, duke paralajmëruar bllokim të mbledhjeve të këshillit bashkiak të këtij qyteti, nëse kjo kërkesë nuk pranohej. Ndërsa vetëm dy ditë më parë, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako njoftoi uljen e kësaj taksës në nivelin 30 për qind, si përmbushje të premtimit të tij elektoral gjatë fushatës për zgjedhjet e 21 qershorit.

“Taksa mbi pronën u rrit deri katërfish në dy vitet e fundit, duke rënduar barrën e taksave që paguajnë veçanërisht bizneset e vogla të cilat ndodhen në kushtet e mbijetesës. Ulja me 30 për qind e taksës do të ndikojë direkt në buxhetin e bizneseve dhe familjeve të tyre. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se me marrjen e besimit nga shqiptarët, taksa mbi pronën do të shkojë në nivelet që ka qenë para vitit 2007”, thuhej në deklaratën e Partisë Demokratike/Shekulli