Propozimi për presidente, si rrufe në qiell të pastër për Jahjagën

(E plotësuar) Për mënyrën dhe rrethanat e zgjedhjes presidente, Jahjaga ka thënë se nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, por se i është ofruar detyra që t’i shërbejë vendit në atë periudhë jashtëzakonisht të vështirë, gjatë një krize të thellë politike. Jahjaga ka thënë se nuk ka pasur dilema për ta pranuar propozimin, sepse askush nuk duhet të ketë dilema për t’i shërbyer vendit.

Lajme

15/09/2015 22:45

“Nuk është në pikëpyetje vetvetja, por vetë shteti dhe qytetarët e saj”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka thënë se në atë kohë ka qenë e fokusuar në ofrimin e kapaciteteve të saj në ngritjen e vazhdueshme dhe profesionale të institucionit të policisë së Kosovës.

“Them të drejtën asnjëherë nuk kam pasur as insistimin, as qëllimin që të bëhem pjesë e spektrit politik”, ka thënë Jahjaga. E pyetur nëse propozimi i ka ardhur si rrufe në qiell të pastër, Jahjaga tha se mund të kuptohet edhe kështu për rrethanat që kanë qenë në atë kohë.


 

Ka nisur intervista në Top Show e presidentes së Kosovës, AtifeteJahjaga, të cilën e kishte dhënë gjatë vizitës së parë shtetërore në Tiranë. Për këtë vizitë shtetërore të vonshme, në fund të mandatit, presidentja Jahjaga tha se ka qenë çështje e harmonizimit në bazë të protokolleve të kabineteve të dy presidencave.

Ajo tha se në Shqipëri shkon shpesh dhe sa herë që shkon ndjehet si në shtëpinë e saj.

“Unë kam ardhur në Shqipëri edhe shumë herë të tjera, jam adhuruese e madhe e bregdetit shqiptar, të gjitha pushimet e mia verore i kam kaluar këtu. Këtë vit isha në Durrës”, ka thënë Jahjaga.

E pyetur se çfarë kishte të frytshme në këtë vizitë shtetërore, Jahjaga tha se pos kabinetit ka marrë me veti edhe dy ministra të qeverisë, në mënyrë që të ofrohen mundësi pak më të madhe për të diskutuar disa gjëra më në thelb.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë forcuar dhe janë fuqizuar pothuajse në të gjitha fushat. Unë mendoj se këto vitet e fundit kemi shënuar progres të konsiderueshëm sa i përket avancimit bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Jahjaga.