Prokurorja thotë se i akuzuari është fajtor për vrasjen e vëllait, mbrojtja kërkon ricilësim të veprës penale
Në fjalën përfundimtare në gjykimin ndaj Millorad Shubariq, i cili ngarkohet për vrasje të rëndë, prokurorja Fitore Sadikaj kërkoi nga gjykata dënimin e të akuzuarit, kurse mbrojtësi i Shubariq, avokati Asdren Hoxha tha se i mbrojturi i tij nuk i mohon veprimet e kundërligjshme por cilësimin juridik të veprimeve të tij si vrasje e rëndë.…

Lajme
Në fjalën përfundimtare në gjykimin ndaj Millorad Shubariq, i cili ngarkohet për vrasje të rëndë, prokurorja Fitore Sadikaj kërkoi nga gjykata dënimin e të akuzuarit, kurse mbrojtësi i Shubariq, avokati Asdren Hoxha tha se i mbrojturi i tij nuk i mohon veprimet e kundërligjshme por cilësimin juridik të veprimeve të tij si vrasje e rëndë.
Shubariq po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale “Vrasje e rëndë”, me arsyetimin se me datë 7 maj të vitit 2022 për shkak të mosmarrëveshjeve kishte privuar nga jeta vëllain e tij tani të ndjerin D.Sh., raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Sadikaj tha se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim dhe të njëjtën e dorëzoi. Ajo shtoi se pas analizimi edhe një herë të provave, për Prokurorinë veç është fuqizuar fakti se Shubariq është fajtor për vrasje të rëndë.
Po ashtu, Sadikaj tha se edhe pse ekzaminimi psikiatrik e ka sqaruar se në momentin e veprimit Shubariq ka pasur aftësi esencialisht të zvogëluar, sërish sipas saj kjo rrethanë nuk e bën të papërgjegjshëm penalisht.
Kurse, e dëmtuara Liljana Nisiq tha se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale, por paraqet kërkesë pasurore-juridike.
Ndërkaq, avokati Hoxha tha se Shubariq qoftë edhe në procedurën hetimore, por edhe në shqyrtim gjyqësor, nuk i ka mohuar veprimet por se për shkak të goditjes paraprakisht në kokë nga vëllait i tij D.Sh., ka vepruar në gjendje të tronditjes mendore.
Sipas avokatit, Shubariq duhet të dënohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” dhe se duhet llogaritur rrethana lehtësuese se i njëjti nuk ka mohuar veprimet e ndërmarra, por vetëm cilësimin e veprës penale si në aktakuzë “Vrasje e rëndë”.
Hoxha kërkoi nga gjykata që sipas detyrës zyrtare të bëjë rikualifikim të veprës penale dhe atë në “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”.
“Kërkoj sipas detyre zyrtare të bëni rikualifikim juridik të veprës penale nga vepra penale e vrasje së rëndë nga nenin 173 në vepër penale të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore nga neni 174”, tha avokati Asdren Hoxha.
Po ashtu, avokati i të akuzuarit tha se Shubariq ka qenë i shtyrë të kryejë veprën penale pasi që paraprakisht nga viktima-vëllai D.Sh ka qenë i provokuar vazhdimisht dhe kjo dëshmohet edhe nga dëshmia e dëshmitarëve dhe provat.
Kurse, për të dëmtuarën Nisiq, avokati Hoxha tha se padrejtësisht i është dhënë statusi i palës së dëmtuar, pasi që në shqyrtim gjyqësor nuk është siguruar asnjë provë se ka qenë qoftë në bashkësi martesore ose jashtëmartesorë me viktimën D.Sh.
Në fund, avokati Hoxha kërkoi nga gjykata që Shubariqit t’i ndërpritet masa e paraburgimit, me arsyetimin se kanë pushuar kushtet ligjore për ekzistimin e kësaj mase.
Ndërkaq, vetë Shubariq tha se i vjen keq për atë që ka ndodhur, por presioni i vazhdueshëm ka ndikuar që të ndërmarrë veprimin ndaj vëllait të tij. Ai e ka lutur gjykatën që t’i shqiptojë dënim më të butë, duke shtuar se është penduar për veprimet e tij.
Pas dhënies së fjalës përfundimtare nga palët në procedurë, gjykatësja e rastit Alltën Murseli e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor.
Sipas aktakuzës të datës 13 prill 2023, i akuzuari Millorad Shubariq me nofkën “Miqa” i cili gjendet në paraburgim, akuzohet se me datën më 7 maj 2022 rreth orës 15:30 minuta, në fshatin Gushtericë e Ultë, Komuna e Lipjanit, për shkak të disa mosmarrëveshjeve në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit D.Sh. dhe zënkave disa vjeçare rreth pronës-shtëpisë së përbashket të vëllezërve- të pandehurit Millorad Shubariq dhe D.Sh., derisa tani i ndjeri D.Sh., ishte duke punuar me kosë para shtëpisë së tij në oborrin e përbashkët me të pandehurin, ndërsa i pandehuri Millorad Shubariq ishte duke konsumuar birra, mes tyre ka filluar një fjalosje dhe kacafytje ku i pandehuri Millorad Shubariq ka hyrë në dhomën e tij ku ka marrë armën e tij zyrtare të tipit “Glock”, pastaj ka shkuar te shtëpia e tani të ndjerit dhe me dashje ka shtënë me armë tetë herë në drejtim të tij dhe e ka qëlluar, ku si pasojë e plagëve tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Me këtë, i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 175. paragrafi 1. nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të KPRK-së.