Prokuroria Themelore: Kurteshi tentoi të intervenonte në rastin e tij
Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka reaguar ndaj deklaratave të avokatit të popullit, Sami Kurteshi, që është në fund të mandatit.
Lajme
Ky i fundit e pati quajtur institucionin që e udhëheq Beka si çerdhe të krimit, ndërsa Beka këto i konsideron si të pavërteta dhe shpifje.
Beka përmes një komunikate për media i ka cilësuar deklaratat e Kurteshit si dhe pretendimet e pabazuara të Sami Kurteshit.
“Lidhur me deklaratën publike të ish avokatit të popullit Sami Kurteshi të publikuar në media gjoja se në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ekziston çerdhja e krimit të organizuar së bashku me Kryeprokurorin. Pretendimet e tij janë tendencioze,të pabazuara në fakte dhe prova dhe si të tilla burojnë nga personaliteti i tij. Ish avokati i popullit Sami Kurteshi që nga viti 2012 është duke u hetuar në bazë të një raporti informues të policisë së Kosovës-Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të dates 17.09.2012.
Në ndërkohë po i njëjti me qëllim të ndërhyrjes dhe intervenimit për rastin e tij, në muajt e pare të vitit 2013 ka vizituar zyrën e ish Kryeprokurorit të Shtetit z. Ismet Kabashi dhe në këtë takim ka parashtruar pyetjen në kuptimin se “kush jeni ju që mund të më hetoni mua, a e dini ju se çfarë pozite të rëndësishme ushtrojë unë në këtë shtet”, i lartëcekuri ka qenë mjaftë i frustruar, është paraqitur mendjemadh duke shfaqur sjellje të pahijshme dhe arrogante të cilat sjellje nuk përkojnë me nivelin e pozitës publike të cilën e ka mbajtur në atë kohë.
Përgjigja e jonë ka qenë se ne do ti zhvillojmë hetimet dhe pas përfundimit të hetimeve nëse ka elemente të kryerjes së veprës penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit nga neni 339 të KPK-së,ne do të paraqesim akuzë,në të kundërtën nëse nuk ka elemente do të mbyllet rasti,pavarësisht emrit dhe pozitës së personit i cili hetohet”, thuhet në reagimin e Bekës.
Beka përmes komunikatës sqaron se Kurteshit i ka rënë ndër mend vonë të merret më spekulime dhe denigrime për të shkaktuar hutim në opinion.
“Në periudhën kohore kur hetuesit në bazë të Autorizimit të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e kanë intensifikuar hetimin dhe kanë avancuar në hetim të rastit, të dyshuarit Sami Kurteshi i ka ra ndërmend dhe me qëllim të shkaktimit të hutisë në opinion të merret me spekulime, denigrime të pavërteta dhe frazologji boshe.
E gjithë kjo fushatë e tij bëhet me qëllime të caktura në mënyrë që të ushtroj ndikim në organet e drejtësisë e në rastin konkret në Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe të Kryeprokurorit të saj. Prandaj, frustrimet e ish drejtuesit të institucionit të Avokatit të Popullit nuk duhet ti adresohen Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Por si person i cili e ka menaxhuar zyrën e Avokatit të Popullit, duhet të ndihmoj drejtësinë në ndriçimin e së vërtetës dhe thënieve të tij në deklaratat publike. Deklaratat e të lartpërmendurit të lëshuara dhe të publikuara në mjetet elektronike dhe të shkruara, aspak nuk do të ndikojnë në zvogëlimin e imazhit dhe të kredibilitetit të institucionit të cilin e drejtoj,e aq më pak kur këto deklarata janë bërë nga një person i cili është duke u hetuar për keqpërdorime nga organi ynë”, përfundon komunikata.