Prokuroria: Të arrestuarit, pjesëtarë e rekrutues të ISIS, nën hetime edhe disa imamë (Video)

Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se gati të gjithë të arrestuarit e sotëm për terrorizëm kanë qenë pjesëtarë të grupeve radikale islamike, ISIS dhe Al Nusra, dhe se lidhur me këtë rast janë duke u hetuar edhe disa imamë të xhamive.

Lajme

11/08/2014 15:16

Arrestimi i dyzet peronave nga Policia e Kosovës është bërë nën dyshimin se kanë kryer vepra penale nga kapitulli “Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës Së Kosovës” i Kodit Penal të Kosovës.

Prokurori i rastit, Blerim Isufaj ka thënë se pothuajse të gjithë të arrestuarit kanë qenë pjesë e grupeve islamike terroriste.

“Po thuajse të gjithë të arrestuarit kanë qenë pjesë e grupeve të ISIS dhe Al-Nusra” ka thënë prokurori Isufi.

“Ky operacion policor është ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

 “Të arrestuarit nuk kanë qenë të dhunshëm me përjashtim të dy rasteve. Edhe familjarët kanë bashkëpunuar dhe e kanë mirëpritur rastin”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai ka theksuar se Policia i ka monitoruar aktivitetet e të dyshuarve që nga mesi i vitit 2012 dhe ka mbledhur dëshmi

“Kjo është arsyeja pse kemi pritur deri më tani”, u shpreh Kelani.

Sipas tij, një numër i të arrestuarve janë rekrutues të shtetasve të Kosovës për të luftuar në Siri dhe Irak.

Ndërsa kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sevdije Morina, ka thënë se hetimet janë duke vazhduar edhe ndaj të përfshirëve tjerë eventualë në luftërat në Siri dhe Irak.

“Ky nuk është rasti i vetëm që po hetojmë, por ky është rasti me numër më të madh të dyshuarve. Kemi edhe raste të tjera në Prokurorinë Speciale duke u hetuar ku ka edhe imam, edhe rekrutues, edhe nxitës. Janë raste të ndara. Ka njerëz në paraburgim. Ky është në vazhdimësi të asaj që jemi duke e hetuar që një kohë të gjatë, kështu që ka të profileve të ndryshme nën hetime”, ka thënë Morina.