Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj 7 personave për terrorizëm
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm.
Lajme
Të pandehurit akuzohen se kanë bërë thirrje që kosovarët t’i bashkohen organizatës terroriste të Shtetit Islamik. Gjithashtu, përveç veprës penale për rekrutim për terrorizëm, rëndojnë aktakuza edhe për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, si dhe nxitje të urrejtjes ndaj grupeve racore, fetare, etnike.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj kundër të pandehurve: Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba për kryerjen e disa veprave penale që ndërlidhen me terrorizmin”, thuhet në komunikatë për media.
“Të pandehurit: Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi dhe Jetmir Kyqyku u kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime materiale, kështu që me këtë kanë kryer veprën penale “Rekrutimi për terrorizëm”, nga neni 139 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
“Të pandehurit Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Balazhi, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba kanë marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që paraprakisht janë dakorduar që të shkojnë në luftë në Siri dhe t’i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e organizatës terroriste “ISIS”, me këtë kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist”.
“I pandehuri Zeqirja Qazimi, duke e keqpërdorur pozitën e tij si Imam në xhamin “El-Kuddus” në Gjilan, publikisht ka nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupeve tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës, me këtë ka kryer veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
“I pandehuri Ilir Berisha, që nga muaji janar i vitit 2014 ka mbajtur në pronësi pa leje valide një pistoletë Ekol Special-99, e kall.9 mm Gas, me këtë ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprat penale që akuzohen t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit. (lajmi.net)