Prokuroria Speciale heton keqpërdorimet me prona publike në Skënderaj

Lëndët e pronave komunale, të cilat Komuna e Skënderajt i kishte dhënë nëpërmjet një ankandi publik, tashmë kanë përfunduar në Prokurorinë Speciale.

Lajme

08/04/2015 19:25

Kjo prokurori ka nisur hetimet lidhur me dhënien në shfrytëzim të disa pronave për ndërtim të lartë, raporton KTV.

Nëpërmjet një përgjigjeje elektronike Prokuroria ka thënë se “është në përfundim të fazës fillestare të hetimeve dhe në këtë fazë nuk mund të japë më shumë informata”.

Zyrtarët e Komunës së Skënderajt pranojnë se Prokuroria ka marrë disa dosje që kanë të bëjnë me dhënien në shfrytëzim të pronave komunale. Në mesin e këtyre dosjeve janë edhe vendimet e fundit të komunës për dhënien të shfrytëzim të disa parcelave kompanisë “Rrukolli” , Drilon Malajt dhe këngëtares Leonora Jakupi.

Ndonëse kanë filluar hetimet, zyrtarët e komunës nuk kanë marrë vendim për ndërprerjen e punimeve, por thonë se punimet nuk janë duke vazhduar. Mirëpo, kompania “Rrukolli” nuk i ka ndalur punimet.

Ndonëse toka, e cila u është dhënë atyre është nën hetime, punimet janë duke vazhduar. KTV-ja ka kontaktuar me njërin nga pronarët e kësaj kompanie, Azem Rrukollin, i cili nëpërmjet telefonit ka thënë se nuk është informuar nga askush për këto hetime dhe se askush nuk i ka thënë që t’i ndalojë punimet.

Informata për këto hetime nuk ka as këngëtarja Leonora Jakupi. E opozita në Skënderaj konsideron se Prokuroria ka mjaftueshëm prova për keqpërdorimet të cilat janë bërë me këto prona.