Prokuroria shqyrton Rastin Muhaxheri

Prokuroria e Kosovës ka konfirmuar se po merret me kërkesën e Ramush Haradinajt për të \"verifikuar pohimet\" e Gazmend Muhaxherit lidhur me vrasjet në Dukagjin.

Lajme

09/12/2013 17:00

Ramush Haradinaj dhe Gazmend Muhaxheri pas betejës për Pejën duket se do ta kenë edhe një përballje tjetër mes vete, atë para organeve të drejtësisë.

Prokuroria e Kosovës ka konfirmuar se po merret me kërkesën e Liderit të AAK’së që Kryetari i ri i Pejës t’i japë shpjegimet e tij lidhur me deklaratat e dhëna gjatë fushatës së balotazhit për zgjedhjet lokale të 1 dhjetorit.

Muhaxheri kishte bërë përgjegjëse strukturat e AAK’së për disa vrasje të pasluftës në Dukagjin, ndërsa më pas kishte thënë se deklaratat i janë nxjerrur nga konteksti.

Prokuroria e Kosovës njoftoi sot se ka pranuar një kërkesë “për verifikimin e pohimeve të Gazmend Muhaxherit” përmes avokatit të autorizuar nga Haradinaj, Arianit Koci.

“Më datën 27 nëntor 2013 z. Ramush Haradinaj përmes të autorizuarit të vet, avokatit Arianit Koci,  ka paraqitur ‘Kërkesë për verifikimin e pohimeve të z. Gazmend Muhaxherit”, lidhur me intervistën e dhënë në portalin elektronik ‘Gazeta Express’ më 25 nëntor 2013”.

“Kërkesa është dërguar në të njëjtën kohë në adresën e kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Pejë dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”.

“Një parashtresë e njëjtë u është dërguar edhe kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë”.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit është informuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se rasti është duke u shqyrtuar nga ajo prokurori”.