Prokuroria për vrasjen e trefishtë në Deçan: Ende nuk ka asgjë, jemi në fazë hetimore

Kanë kaluar katër ditë që nga rasti në Gllogjan të Deçanit, ku mbetën të vrarë tre persona si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri në drejtim të një autobusi që po vinte nga Gjakova, derisa ende nuk është arrestuar asnjë person.

Lajme

01/12/2021 09:56

Lajmi.net, lidhur me këtë, ka kontaktuar zëdhënësin e Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikqin, i cili ka thënë se rasti ende është në fazë hetimore.

“Ende nuk kemi asgjë të re, sapo të kemi diçka do t’i drejtohemi opinionit publik. Rasti është ende në fazë hetimore”, ka deklaruar ai.

Qeveria e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për ata të cilët mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

“Për identifikimin sa më të shpejtë të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit”, u tha në njoftimin e kryeministrisë.

“Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose -192, dhe e-mail: [email protected]”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, një ditë pas vrasjeve makabër, nëpërmjet një konference për media i pati bërë ultimatum të dyshuarit që të dorëzohet.

“Unë bëj ultimatum vrasësit që të dorëzohet sa ma parë që dorëzohet aq më mirë për rrethin e tij dhe qytetarët e Kosovë. E dim që ai që ndihmon vrasësin implikohet në vepër të rëndë kriminale nuk është vetëm për solidaritet. Kështu që sa më parë dorëzohet aq më mirë, për rrethin e tij dhe për Kosovën”, pati deklaruar ai.

Nga incidenti në Gllogjan të Deçanit ka mbetur edhe një i plagosur, i cili iu nënshtrua një operacioni dhe e kaloi me sukses për heqjen e plumbit. /Lajmi.net/