Prokuroria nis hetimet për mishin e prishur në Kosovë
Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari, ka konfirmuar se ka urdhëruar mbledhjen e informatave në lidhje me mishin e konfiskuar nga inspektorët e Komunës së Ferizajt.

Lajme
“Prokuroria në Ferizaj ka urdhëruar Departamentin për Krime Ekonomike të Policisë në Ferizaj për të mbledhur informacione në lidhje me 1 ton mish të konfiskuar në Ferizaj”, tha Jashari për KALLXO.com.
Kryeprokurori Jashari tha se informacioni po mblidhet në lidhje me dyshimin për vepër penale “Prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”, ndaj dy supermarketeve në Ferizaj.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Koordinatorin e Inspektorëve në Komunën e Ferizajt, Ridvan Berisha i cili ka konfirmuar se Departamenti i Krimeve Ekonomike ka kërkuar informacion në lidhje me mishin e konfiskuar pak javë më herët.
“Krimet Ekonomike kanë kërkuar informacion në lidhje me sasinë e mishit të konfiskuar në Ferizaj, dhe ne jemi duke përgaditur përgjigjen në këtë kërkesë”, tha Berisha për KALLXO.com.
Por Berisha nuk ka dashur t’i bëjë publike emrat e kompanive në të cilat është konfiskuar mishi i prishur.
Berisha gjithashtu konfirmoj për KALLXO.com se Inspektorati i Komunës së Ferizajt e ka përcjellë lëndën e konfiskimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për kundërvajtje, pasiqë sipas tyre “nuk kanë vërejtur elemente të veprës penale”