Prokuroria ngre aktakuzë për krime lufte ndaj një serbi
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Z.Dj. nga Peja, me vendbanim aktual në Beograd, për krime lufte në Kosovë.

Lajme
I pandehuri Z.Dj, gjatë muajit mars – prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës bashkë me një grup kriminal serb kishte hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve duke i vrarë dhe maltretuar, njofton Klan Kosova.
Ai bashkë me disa të tjerë, të paidentifikuar deri më tani, kanë shkuar në këtë lagje me uniforma policore-paramilitare dhe kanë vrarë, vjedhur dhe plaçkitur popullatën civile të pambrojtur. Ata po ashtu kanë dhënë urdhër për zhvendosjen e popullatës civile.
“Me ketë i pandehuri Z.Dj., ka kryer veprat penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë” të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës, që ndiqet sipas nenit 152 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës, dhe nenit 142 të Kodit Penal të RSFJ-së, “Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar” që ndiqen sipas nenit 153 paragrafi 1 nënparagari 2.1, 2.2, 2.5, 2.8, 2.13, dhe 2.15, dhe nenit 3 të KPK-së”, thuhet në njoftimin Prokuroria Speciale. /Lajmi.net/