Prokuroria në Gjilan ngre aktakuzë ndaj personit që kanosi gazetarët dhe kameramanin brenda Gjykatës në Viti

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet A.I., i cili ndodhet në masën e paraburgimit që nga 3 shkurti 2026, për veprën penale “Kanosje”. Sipas aktakuzës, më 30 janar 2026, rreth orës 14:30, në ambientet e Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti, i pandehuri me dashje dhe me…

Lajme

24/02/2026 09:35

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet A.I., i cili ndodhet në masën e paraburgimit që nga 3 shkurti 2026, për veprën penale “Kanosje”.

Sipas aktakuzës, më 30 janar 2026, rreth orës 14:30, në ambientet e Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti, i pandehuri me dashje dhe me qëllim frikësimi ka kanosur me veprime serioze të dëmtuarit E.C., gazetare, D.N., kameraman – që të dy nga gazeta “Nacionale”, si dhe F.K., gazetar hulumtues i mediumit “Betimi për Drejtësi”, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre profesionale, raporton lajmi.net

Sipas prokurorisë, pas përfundimit të një seance gjyqësore në procedurë civile që po zhvillohej në një nga sallat e gjykatës në Viti, derisa gazetarët ishin duke kryer punën e tyre, i pandehuri është afruar para kamerës dhe ka kryer veprim kanosës duke vendosur dorën te fyti i tij në formë kërcënuese.

Ky gjest, sipas aktakuzës, ka përçuar mesazh të qartë se personi rrezikon jetën ose integritetin trupor, duke shkaktuar te të dëmtuarit frikë, ankth dhe pasiguri për jetën.

Me këto veprime, A.I. akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje”, nga neni 181 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)./Lajmi.net/