Prokuroria në fazën finale të hetimeve, pritet ngritja e aktakuzës ndaj të dyshuarit për vrasjen e Fatlind Arifit

Në natën e 28 korrikut të këtij viti u vra 22-vjeçari, Fatlind Arifi në Bresalc të Gjilanit tek vendi i quajtur 'Te Lapidari' . Këtë vrasje dyshohet se e kreu 26 vjeçari, Liridon Uruqi nga po i njëjti vend.

Lajme

04/10/2018 15:17

Fatlindi djali i vetëm i familjes Arifi ishte dërguar pa shenja jete në emergjencën e Gjilanit, ai ishte plagosur në gjoks nga arma e zjarrit, shkruan lajmi.net.

Ndërkohë Liridon Uruqi i cili është emër i njohur për Policinë e Kosovës për shkak të kaluarës së tij kriminale ishte arratisur. Policia kishte arrestuar vëllain e të dyshuarin SH. Uruqi ku sipas tyre ishte i involvuar në këtë ngjarje ndërsa të dyshuarit kryesor i ishte konfiskuar vetura e tipit ‘Mercedes’ në oborrin e shtëpisë së tij. Ndërsa të nesërmen policia kishte arritur ta arrestonte Liridon Uruqin.

Në seancën e mbajtur më 30 korrik, Uruqi kishte kërkuar të mos paraburgoset duke thënë se i vinte keq për ngjarjen që kishte ndodhur. Me vendim të gjykatës personit të dyshuar për vrasjen iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Gjykata Themelore në Gjilan, në fund të muajit gusht ia ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë, masën e  paraburgimit të dyshuarit për vrasje, Liridon Uruqi.

Kështu ka thënë për lajmi.net zëdhënësi i kësaj gjykate, Sabit Shkodra.

“Në fund të muajit gusht është nxjerrë aktvendimi për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj. Seanca ende nuk janë mbajtur sepse nuk është ngritur aktakuza nga Prokuroria”, ka thënë Shkodra.

Ndërsa avokati mbrojtës i të dyshuarit, Blerim Halimi i ka thënë lajmi.net se janë në pritje pasi ende s’është ngritë aktakuza nga Prokuroria.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Liridona Xheladini ka deklaruar se janë në fazën përfundimtare të hetimeve dhe gjatë ditëve të ardhshme pritet ngritja e aktakuzës.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Krimeve të Rënda, për këtë rast ka intervistuar dëshmitarët, përfaqësuesit e palës së dëmtuar dhe është në fazën përfundimtare të hetimeve. Prandaj pritet që gjatë ditëve të ardhshme të ngritët aktakuza ndaj të dyshuarit, në Gjykatën kompetente në Gjilan, për të cilën me kohë do të jeni të njoftuar”, ka thënë Xheladini për lajmi.net.

Kujtojmë se prokurori i rastit ka konfirmuar se i dyshuari Uruqi pasi e kreu vrasjen, tentoi ta paraqiste atë si vetëvrasje. Motivet e kësaj vrasje ende nuk dihen ndërsa vlen të theksohet se i akuzuari dhe viktima ishin shokë./Lajmi.net/V.V